Boçi: Beqaj u pengua të dëshmojë që mos i vinte radha Ramës e Nushit

Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi thotë se ish-ministri i PS, Ilir Beqaj nuk u lejua të dëshmojë në komisionin hetimor për koncesionet në shëndetësi, që mos i vinte radha Edi Ramës dhe Vilma Nushit. ”Bindja ime është që të pengohej nga mazhoranca, që të ndërpritej rrjedha e dëshmive të tjera që komisioni të mos ketë arsye për zgjatjen e hetimeve dhe të mos thirreshin dy autorët kyçë të këtij komisioni Rama e Nushi. Beqja duhet të jepte përgjigje për pyetjet që i bën komisioni. Theu rregullat që të digjte dëshminë e tij dhe afatet e komisionit. Ajo që u shmang nga kjo kakofoni vënia e Beqajt përballë pyetjeve zbuluese të së vërtetës. E penguan vetë me dashje”, u shpreh Boçi në A2.

Kjo sipas tij duhet të ishte zgjidhur me një vendim shumice. Boçi e krahason komisionin hetimor për koncesionet në shëndetësi me atë të inceneratorëve ku ka qenë edhe vetë pjesë, por në atë rast thekson ai ndërhyri ambasada e SHBA-së. Sipas Boçit komisioni duhet ta çojë deri në fund punën e tij.

”Situata është e ngjashme si në rastin e inceneratorëve ku unë kam qenë pjesë e atij komisioni. Kemi kërkuar zgjatjen e komisionit dhe në listë ka qenë Rama e Agaçi dhe ka qenë ndërhyrja e ambasadës së SHBA që të zgjatej afati i komisionit dhe këtu komisioni nuk e ka përfunduar punën e tij. Ka ende dëshmitarë.

Çështja kërkon që të jenë të pranishëm dhe të japin dëshminë kryeministri e Nushi. Janë dy kryesorët për koncesionin dhe nuk mund të konsiderohet i mbyllur. Komisioni nuk është shoë se ka vijuar për shumë kohë dhe ka marrë një sërë dëshmitarësh dhe ka nxjerrë një sërë faktesh dhe provash. Komisioni është efikas dhe ka kërkuar për herë të dytë të afatit me 3 javë të tjera dhe duhet të çohet deri në fund lista e dëshmitarëve ku përfshihet Vilma Nushi dhe Edi Rama”.

SHKARKO APP