Boçi i sigurtë: PD fiton 7 mandate në Elbasan

Luçiano Boçi, kandidat i Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 Prillit në qarkun e Elbasanit, ishte i ftuari i gazetares Besmira Pelushaj në RTV Ora ku u ndal te situata parazgjedhore në këtë qark, te pritshmëritë e selisë blu dhe tek përplasjet e 14 Marsit në këtë qytet.

Sipas Boçit, situata në qarkun e Elbasanit, sondazhet por edhe takimet me qytetarët tregojnë se PD do të jetë forcë fituese në këtë qark.

“Mundësitë janë të gjitha. Qoftë kjo nga mbështetja qytetare që ka marrë dhe merr Partia Demokratike. Qoftë edhe nga sondazhet që realizohen, qoftë duke u nisur edhe prognoza e rezultateve, mbështetur edhe në rezultatet e mëparshme. Në 2009 kemi marrë 7 mandate, në 2013 kemi marrë 6 mandate. Dhe nëse marrim kundërshtarin, mandatet janë ndarë 7 në 2009, 7 edhe në 2013. Të gjitha këto elementë, shto pjesën e mbështetjes, do ti marrim këto mandate”, u shpreh Boçi.

Sa i përket përplasjeve mes simpatizantëve të PS dhe PD në Ditën e Verës në Elbasan, Boçi do të shprehej: 

“Unë mendoj se kryeministri e di shumë mirë popullin mikpritës të një qyteti që të gjithë atë simbolikën e paqes dhe mirësisë e ka në një ditë, siç është Dita e Verës. Aq më tepër, edhe bashkia është në të njëjtën linjë politike. Hapi i parë është, shmangja e përplasjes së axhendave prej 30 vitesh, si rregull protokollar. Ai që drejton është mikpritësi dhe nuk përplas axhendat me qëllim të mos ketë thirrje emocionale.

Pjesa tjetër, është përfolur shumë dhe ligjërimi mbahet tek niveli i fajit që i takon njerëzve të caktuar që cilësohen  dhe ndahen me të drejtë në banda apo jo banda. E kam thënë dhe e them, banda është qeveria. Nëse qeveria nuk ka derivatet e saj askush nuk mund të veprojë. Shihni pamjet atë ditë, shihni si ka vepruar policia dhe do të skandalizoheni. Nuk mund të jetë kryeministri i pambrojtur në një ditë paqeje siç është Dita e Verës“.

SHKARKO APP