Boçi ironizon ministrin e Brendshëm: Aferim Çuçi! E kemi çfarë nuk e kemi, vetëm polici shteti nuk e kemi
Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka ironizuar deklaratat e së hënës të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, i cili justifikoi rolin e Policisë së Shtetit lidhur me situatën kriminale që ka pushtuar vendin ku vetëm në 4 ditën e fundit u shënuan dy ngjarje tejet të rënda që tronditën mbarë opinionin publik, si aksidenti me 4 viktima në aksin rrugon Fier-Vlorë, dhe masakrën e Velipojës ku lufta për plazhet shënoi 4 viktima dhe dy të plagosur.
Përmes rrjeteve sociale, Boçi shprehet se fajin nuk e ka policia, sepse realisht policinë e kemi për të ruajtur e për të korrur kanabis, për të ruajtur dhe korrur ndonjë lek.
“Hera e parë që jam dakort me Çuçin e rilindasit. Fajin nuk e ka policia! Sepse realisht policinë e kemi për të rujt e për të korr kanabis, për të rru e korr ndonjë lek. E kemi për të eskortuar krimin, jo për ta luftuar. E kemi për të blerë vota. E kemi çfarë nuk e kemi, vetëm polici shteti nuk e kemi! Aferim Çuçi!”, ironizon në reagimin e tij deputeti i zgjedhur i PD-së, Luçiano Boçi.