Boci: Ministria konfirmoi se tarifa mbetet në kurriz të studentëve, mashtroi për subvencionimet

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) informon studentët se qeveria shqiptare do të vazhdojë të subvencionojë tarifat dhe bursat edhe për vitin e ardhshëm akademik 2019-2020. Tarifat mbesin, por subvencionimi nga ana jonë nuk do të ndalet në mënyrë që t’u vihet në ndihmë studentëve shqiptarë, ashtu sikurse është zotuar në kuadër të “Paktit për Universitetin”. “Kujtojmë se që në fillim të tij, “Pakti për Universitetin” solli mbi 2.3 miliardë lekë subvencionim pako financiare nga ana e qeverisë shqiptare, duke i sjellë përfitim direkt mbi 99 mijë studentëve nga të cilët: 75 mijë studentë kanë përfituar reduktim tarife me 50%; 5500 studentë janë përjashtuar nga tarifa e studimit (mesatarja 9-10); mbi 10 mijë studentë janë përjashtuar nga tarifa e shkollimit (kategoritë në nevojë); rreth 11 mijë studentë kanë përfituar bursa prej 10 mijë lekësh në muaj (studentë nga kategoritë në nevojë dhe ato me mesataren 9-10)”, thuhet në njoftimin e Ministrisë. MASR nënvizon se shumë shpejt do të ketë edhe ndryshime të tjera në VKM për të përfshirë edhe kategori të tjera që nuk kanë qenë më përpara.

Reagimi i Boçit

Kreu i Departamentit për Arsimin në Partinë Demokratike Luciano Boci do të reagonte ndaj kësaj deklarate duke theksuar se Ministria e Arsimit konfirmoi se tarifa mbetet, sërish në kurriz të studentëve.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Ministria e Arsimit, e cila e ka nxjerrë prej kohësh nga shinat Arsimin e lartë e jo vetëm atë (por dhe Akademinë, Arsimin parauniversitar, Kërkimin shkencor), në deklaratën e saj informuese, pranon paturpësisht atë që ne denoncuam për tarifat e pa përgjysmuara për Bachelor e të pa rishikuara për Master. Tarifat mbesin – përcakton Ministria, duke sfiduar kështu publikisht kërkesën themelore të studentëve dhe duke shkelur me krenari prej budallai, zotimin brenda paktit. Tarifat mbesin, sepse nuk ka rritje të buxhetit për arsimin, siç e kërkuan studentët dhe siç shkruante Pakti. Tarifat mbesin, sepse Rama nuk vendosi për përgjysmim me VKM, siç e parashikon ligji, të shumës tavan për Universitetet. Përgjysmimi i vjetshëm pra, ishte thjesht LOJA momentale, për të fikur protestën studentore. Ministria mashtron, kur thotë se subvencionoi vjet 2.3 miliard lekë paketë financiare. Lekët e vjetshme iu morën me dhunë universiteteve, duke i lënë pa investime, funksione e shërbime, sepse buxheti për arsimin e Lartë as u rishikua e as ndryshoi. Ekselentët dhe familjet në nevojë janë mbështetur sistematikisht që para 2013 dhe këtu nuk ka asnjë risi nga Ministria. Këto TARIFA TË MBETURA, do nxjerrin në mes të katër rrugëve mijëra maturantë në pamundësi ekonomike dhe do detyrojnë të marrin rrugët e Europës e rajonit mijëra të tjerë. Vetëm një fakt tronditës mjafton: Vjet aplikuan për të ikur jashtë Shqipërisë gati 9 mijë maturantë. Sivjet numri i tyre ka kapur shifrën 11 mijë. Pra, 2 mijë më shumë. Kjo sepse një Bachelor+Master kushton më shumë në Shqipëri se Gjermani. Gjendja e ambienteve universitare e konvikteve në tërësi, pavarësisht ndihmës gjermane, mbetet skandaloze dhe Universitetet nuk kanë mundësi financiare ndërhyrëse. Ndërkohë, gama e përfitimeve për studentët që mbajnë kartën e studentit është krejt qesharake e tallëse. Asnjë përfitim për qeranë, shpenzime për libra e mjete mësimore, apo për ushqim. Në vend të tyre, me ironi studentit i shkruhet si favor: Hyn falas në bibliotekën e lagjes! Bordet vazhdojnë të dominohen nga Ministria dhe studentët nuk kanë rol vendimmarrës. Ndërsa loja e pisët me pedagogët, për t’i vënë kundër studentëve e anasjelltas, u demaskua me emërimet e atyre që akuzohen për plagjiaturë, në postet drejtuese të PS dhe pushtetit lokal. Ministria e Arsimit do bënte mirë që sot të heshte dhe të përgatitet për përballjen e radhës me protestën studentore”, shprehet në reagimin e tij, ish-deputeti demokrat Luçiano Boçi.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?