Boçi: Nëse refuzohet vetingu politik, nisim protestat
Luçiano Boçi, një nga deputetët mjaft aktiv të PD-së ka bindjen e plotë se vetëm revoltat popullore kundër Edi Ramës mund të ndalin rrënimin e vendit dhe fillimin e ndë-rtimit të një jete e rendi social dinjitoz, të mbështetur mbi parime, vlera e norma morale e politike.
Z.Boçi thotë për “Gazeta Shqiptare” se trysnia dhe kërkesa qytetare për revolta masive sa vjen e shtohet. Luçiano Boçi apelon se koha nuk pret dhe nëse refuzohet vetingu në politikë dhe paketa antimafia, opozita do të zbresë në sheshet e Shqipërisë. Ai paralajmëron se: “Njëkohësisht jemi gati për çdo betejë e përdorimin e çdo mjeti që çon në zgjidhjen e emergjencës kriminale, e lidhur me largimin e domosdoshëm të Ramës, nëse ai refuzon t’i lerë vendin një qeverie antimafia”.
Z.Boçi, para pak ditësh ju paditët policinë dhe policia ju paditi ju, por çfarë ndodhi realisht në Mengël të Elbasanit? …
Në Mengël ndodhi gjithçka. U shpalos një qëndresë e solidaritet shembullor i banorëve. Beteja e tyre ishte epike për nga vlerat demokratike e sociale që përcolli. U shfaq edhe njëherë në lakuriqësinë e saj tipike paaftësia dhe papërgjegjshmëria e Ministrisë së Arsimit dhe titullares së saj. Tri javë nuk lëvizi nga kolltuku i zyrës së saj Nikolla dhe qëndroi tërësisht e heshtur dhe e pashqetësuar fare se 400 fëmijë kishin ditë të tëra që nuk uleshin në bankat e shkollës. U zbulua qartazi absurdi që ka zënë prej fyti Bashkinë Elbasan, e cila kujton se dija e arsimimi, sikurse paratë, fitohen vetëm me tender, me negocim të drejtpërdrejtë, ose jepen me qira për shumë vite. U shpalos në tërë pamjen e tij të plotë agresiviteti, harbutëria, përçudnimi i një pushteti që policinë e ka bandën e vet politike dhe të cilën e përdor si “qen sulmi” për të shuar çdo revoltë qytetare e jo për të luftuar partnerin e saj, me të cilën ndan sot pushtetin, krimin. Pamjet tronditëse të Mengëlës me policë e forca speciale që godisnin fëmijët, prindërit në prani të tyre, që tërhiqnin zvarrë gratë, vetëm e vetëm se kërkonin të drejtën për arsimim të nxënësve ishin shokuese për këdo dhe të pangjara. Asgjë nuk ishte e rastit.
Të gënjyer prej një viti, nxënësit ishin të detyruar të bënin një varavingo drejt Elbasanit, me justifikimin e pabazë të gjendjes jofunksionale të shkollës. Bashkia kishte premtuar rikonstruksion, por nuk ndërhynte me punime e fonde. Ministria kishte mbyllur sytë dhe veshët para faktit dhe nuk bëzante. Normal që kjo solli reagimin e banorëve, të cilët kërkonin me të drejtë hapjen e shkollës. Ditë me radhë nxënësit kërkuan një reagim, përgjigje ose takim nga ministria dhe bashkia, por askush nuk e “vuri ujin në zjarr” për to. Përkundrazi, me cinizëm dhe akuza politike i dërgonin “për vizitë” çdo ditë policinë dhe forcat speciale tek pragu i shkollës. Banorët kërkuan leje për protestë në rrugë, leje që u refuzua dhe më pas vendosën në mënyrë paralajmëruese bllokimin disaminutësh të rrugës nacionale dhe e hapën vetë shkollën. Në vend të dialogut, shteti i dërgoi forcat speciale që u bënin karshillëk në oborrin e shkollës fëmijëve. Situata e shoqëruar me heshtje totale shtetërore e dhunë policore që arrestonte herë pas here burrat e zonës u agravua edhe ditën e martë, fëmijët dhe gratë vendosën të bllokojnë rrugën nacionale deri në plotësimin e kërkesave të tyre, për hapjen e shkollës ose rregullimin e saj në një afat të përcaktuar. Me urdhër politik, policia e ndihmuar nga forcat speciale dhunoi fëmijët e gratë, pa arritur t’i largojnë nga rruga. Pamjet e dhunës së ushtruar ishin tronditëse.
Përse ju paditi policia?
Personalisht kam qenë aty në përkrahje të fëmijëve dhe të nënave të tyre dhe në disa raste më është dashur të ndërhyj për të shmangur pasojat e brutalitetit policor. Pas 6 orësh banorët pranuan të lirojnë rrugën, me kusht lirimin e të arrestuarve dhe hapjen e punimeve për rikonstruksion. Padia që ngrita është më se e arsyeshme. Pamjet filmike të dhëna nga mediat si dhe të bëra nga shumë dëshmitarë dëshmojnë qartë tejkalimin e kompetencave të policisë dhe keqtrajtimin e goditjen e fëmijëve dhe të grave. Më pas padia mjerane e policisë ndaj meje dhe personave të tjerë, për turpin e vetë policisë, u bë pas trysnisë dhe urdhërimit politik, që drejtuesit morën nga “shefat” e tyre në Tiranë dhe Elbasan.
Opozita ka nisur aksionin politik, por kryeministri Rama vazhdon të qëndrojë në pushtet…
Ne jemi në aksion dinamik opozitar të pandërprerë. Kemi një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin, për shkak të implikimit të thellë të anëtarëve të tij nga mazhoranca në qeverisje me krimin. Kemi marrë iniciativën ligjore të vetingut politik për të pastruar në thellësi politikën, për të shpëtuar kapjen e drejtësisë, për të çliruar ekonominë nga krimi dhe zgjedhjet nga blerja e banditizmi politik. Kemi një aktivitet denoncues faktik dhe kapilar, duke zbuluar sheshit implikimin kriminal të përfaqësuesve të kësaj mazhorance, aferat, korrupsionin, përfshirjen në trafikime e përdhunime të përfaqësuesve të kësaj mazhorance. Jemi duke ofruar njëkohësisht alternativën tonë, që kombinon ndërtimin e besimit, lindjen e shpresës e ndëshkimin e simbiozës oligarkike politikë-krim. Njerëzit kanë filluar të shprehin zemërimin e tyre në protesta e revolta e ne jemi pranë tyre. Njëkohësisht jemi gati për çdo betejë e përdorimin e çdo mjeti që çon në zgjidhjen e emergjencës kriminale, e lidhur me largimin e domosdoshëm të Ramës, nëse ai refuzon t’i lërë vendin një qeverie antimafia.
Opozita apelon për revoltë popullore, po a janë gati shqiptarët që ta rrëzojnë Edi Ramën?
Përtej ligjërimit politik dual, që përdoret nga forcat politike sipas axhendave të tyre në raste të tilla kaosi shtetëror, duhet të themi një fakt të vërtetë. Sa vjen dita, qytetarët janë të bindur se vetëm revolta dhe rrëzimi i Ramës janë rruga për të ndalur rrënimin e vendit, sundimin e krimit, zbrazjen e Shqipërisë e fillimin e ndërtimit të një jete e rendi social dinjitoz, të mbështetur mbi parime, vlera e norma morale e politike. Trysnia dhe kërkesa qytetare për revolta masive sa vjen e shtohet dhe këtë ne e prekim në çdo kontakt apo bisedë e opinion. Gjendja katastrofike ku e ka zhytur Rama vendin me skotën e tij të banditëve e hajdutëve profesionistë, harbutëria, babëzia ekstreme e paaftësia ekzemplare po bind çdokënd se më mirë se largimi nga ky vend, ia vlen rrëzimi i Ramës.
Cili është synimi i opozitës, zgjedhjet e parakohshme të zhvillohen njëherësh me ato lokalet e vitit të ardhshëm?
Synimi i opozitës është largimi imediat i Ramës së bashku me krimin nga drejtimi qeverisës dhe bërjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme për të ndërtuar një kontratë të re midis nesh dhe votuesit, për të gjetur rrugën e së ardhmes dhe për të formatuar shpresën e jetës së merituar në këtë vend. Se kjo ndodh para zgjedhjeve lokale apo njëkohësisht me to, besoj se pak rëndësi ka.
Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se do të jetë vetëvrasje hyrja në zgjedhje me Edi Ramën, pasi PD nuk do t’i fitonte ato për shkak të blerjes së votave. Atëherë, si mund të ikë Edi Rama nga pushteti?
Rama është një grabitës serial votash. Këtë e ka dëshmuar dhe një gjë e tillë është e pranuar në të gjitha raportet ndërkombëtare për zgjedhjet. Për këtë ka ndërtuar një makineri të sofistikuar, ku ka kombinuar mirë kandidimin e përfaqësuesve të inkriminuar ose të afërmve të tyre me paranë e pisët, me administratën e korruptuar, me krimin e organizuar, policinë e shndërruar në bandë zgjedhore e politike dhe me një propagandë të blerë mediatikisht. Pa prishjen e kësaj perandorie grabitëse, strukture fund e krye mafioze dhe pa largimin e autorit të saj Ramë, në Shqipëri nuk ka për të pasur asnjëherë zgjedhje të lira e të ndershme. “Gomari i do drutë e shtrembëta” -thotë populli. Ramës duhet t’i japim dërrmën. Shporrja është fjala me politese që mund të përdorim për domosdoshmërinë e largimit të tij.
Opozita po zgjeron aleancën e saj kundër Ramës, por kalimi i Shpëtim Idrizit në opozitë ngriti shumë pikëpyetje nëse Vangjel Dule do të qëndronte akoma apo jo në frontin opozitar, për shkak të përplasjeve mes tyre. Realisht a ka një çarje brenda koalicionit të opozitës?
Çarja e uruar nga ata që i tremben frontit opozitar nuk ka gjasa të duket e t’i shërbejë si ushqim për optimizmin e tyre të shtrirë përtokë.
Si mund të bashkëpunojnë në një koalicion PDIU dhe PBDNJ? Çfarë garancie kanë marrë z.Dule dhe z.Idrizi nga PD-ja dhe kryetari Basha?
Nuk besoj se është çështje garancish të marra apo të dhëna. E keqja që kemi përballë ne si PD, Dule, Idrizi, aleatë e tjerë bashkë me njerëzit në tërësi është ku e ku më e madhe se çdo mosmarrëveshje ideologjike apo të natyrave të tjera. Politikisht me Ramën kryeministër, ne jemi në emergjencë kombëtare. Solidariteti opozitar në raste emergjencash është gjëja me vogël që mund të ndodhë. Zgjidhja e emergjencës, pra largimi i Ramës, më pas krijon kushtet e domosdoshme për diskutimin e sheshimin e diferencave që mund të ekzistojnë brenda partive, të cilat gjenden në një aleancë kaq parimore dhe të vërtetë.
Cilat do të jenë raportet e opozitës me Kuvendin? Çfarë do të ndodhë me nismën e opozitës antimafia, nëse mazhoranca e hedh poshtë me votë në Kuvend?
Raportet do të vazhdojnë këto që janë derisa të ketë një vendimmarrje nga mazhoranca për nismën e vetingut politik të propozuar nga ana jonë. Kjo jo pafundësisht, pasi tendencat për ta zvarritur duke e dërguar sa andej-këndej për opinion janë thjesht truke për ta vonuar e zvarritur qëndrimin e Ramës. Koha nuk pret dhe refuzimi i shfaqur nga Rama dhe dukshëm i përvijuar si qëndrim final i tij do jetë gongu që bie për përfundimin e betejës zyrtare me Ramën. Pas kësaj, na pret beteja e madhe e përballjes me qytetarët në shesh. Zgjidhje tjetër nuk ka.
Pse pikërisht tani PD ndërmerr nismën për vetingun në politikë?
Ligji i dekriminalizimit nuk i shtriu plotësisht efektet e tij. Ndonëse ai largoi një pjesë të inkriminuarve nga politika, ai nuk mundi të zhdukë vatrën e metastazave që gjendet sot në zemrën e kupolës së shtetit politik. Përkundrazi, kjo vatër u rilind dhe polli në një intensitet të paparë lidhje, fije, interesa, drogë, korrupsion, pushtet të pisët, para të pista, banka familjare, ndërtim lavatriçe, shkatërrim të historisë, përdhunim, ura, metastaza të shumëfishta në ekonomi, shëndetësi, arsim, biznes. Faktet tronditëse të dala në dritë për ish-ministrin e Brendshëm, ministrin aktual, për kreun e grupit parlamentar, për deputetë anëtarë bandash me të kaluar e të sotme kriminale, për pushtetin e lidhur me interesa të pastra kriminale, për pastrim parash, për PPP-ra korruptive, kulla që varrosin trashëgiminë kulturore tregojnë qartë arsyen e tanishme të nismës. Kemi arritur në një pikë, pas së cilës nuk ka për të pasur më mundësi për kthim pas. Është koha për ta ndalur revanshin e kryeministrit-sëmundje, përndryshe historia ka për ta na gjykuar e dënuar. Kjo pikë imponon një iniciativë të tillë ligjore, një lloj kimioterapie efikase, e cila nëse nuk pranohet, i hap rrugën e pranueshmërisë të drejtës për të ndërhyrë më pas me çdo mjet kirurgjikal për të hequr me forcën e bisturisë vatrën që pjell të keqen e këtij vendi e kësaj shoqërie.
PD-ja përmes deputetit Salianji ka përmendur një “listë të zezë” me 100 emra, të cilët preken nga vetingu i propozuar nga PD. Por, si janë identifikuar këta persona, kush janë ata dhe a ka bërë PD një “hetim” paraprak për pushtetarët dhe politikanët e lidhur me krimin para se të ndërmerrte nismën për vetingun e politikanëve?
Numri nuk është ndonjë çudi. Madje, do thosha që deputeti Salianji është treguar shumë i kursyer. Identifikimi i personave nuk është kaq i vështirë. Ne jemi ballafaquar shpesh me lidhje të tilla në situata përplasjesh politike dhe gjërat dihen e njihen më së miri. Jo me opinione, por me fakte konkrete. Vendosja në funksion e autoriteteve verifikuese sipas propozimeve tona do t’i nxjerrë akoma më në dritë këto fakte, krahas atyre tronditëse që ne kemi denoncuar pa ndërprerë. Rama është kryeministri-varkë, që pluskon në kënetën e krimit e drogës dhe herë pas herë merr në varkën e tij personazhet e zhytur thellë në kënetë, pa e kuptuar që dora që e mban sipër, një ditë do të këputet.
Kreu i PD-së ka vënë kushte se pa bërë ventingun e politikës, nuk do të ketë asnjë pakt me Edi Ramën. Përderisa opozita nuk i ka votat në Kuvend, pse refuzon dialogun me mazhorancën?
Nuk ka dialog, sepse nuk ka palë në dialog. PD nuk mund të bëjë marrëveshje apo dialog me njerëz që nuk përfaqësojnë ideologji, programe apo vizione politike. Rama vërtet drejton një parti politike, por që fatkeqësisht e ka shndërruar në një organizatë mafioze. PD, për hir të fateve të vendit e qytetarëve, nuk hyn në bisedime me organizatat mafioze, qofshin këto edhe me flamur politik siç është partia e qeveria e Edi Ramës.
Lidhur me miratimin e ligjit për Teatrin e ri Kombëtar, sipas jush, ku u shkel ligji? Kushtetuta thotë se presidenti nuk mund të kthejë dy herë të njëjtin ligj, por sipas jush, cila është “hileja” e qeverisë për t’i hequr mundësinë z.Meta që ta rrëzojë sërish ligjin e ri për Teatrin Kombëtar?
Në rastin e dekretit të presidentit për ligjin special të shembjes së Teatrit u shkel Kushtetuta. Dekreti ose pranohet, ose rrëzohet. Dekreti kërkonte nga ana e tij mospranimin e ligjit, hartimin e një ligji të ri në përputhje me Kushtetutën dhe jo modifikim e tij. Vota pro e mazhorancës ndaj dekretit e rrëzoi ligjin, pasi konsiderohet që pranoi propozimin e presidentit. Përkundër kësaj, ato e amenduan. Këtu ishte edhe hilja, pasi të amenduar ata e konsideruan të njëjtin ligj, i cili nuk mund të shkonte edhe njëherë tek presidenti. Në rast të hartimit të një ligji të ri, siç e kërkonte dekreti, ai duhet të shkonte sërish për dekretim.
Si mund ta ndalë presidenti “paligjshmërinë” e asaj çfarë do të ndodhë me Teatrin e ri Kombëtar?
Pas “hiles” së PS-së, që realisht është një tjetër shkelje kushtetuese, presidenti nuk disponon asnjë mekanizëm ligjor për ta ndalur shembjen e Teatrit. I vetmi institucion që mund ta bëjë këtë është Gjykata Kushtetuese. Por, Rama tashmë ka kohë që e ka ekzekutuar atë, pikërisht për të realizuar ëndrrat e tij të këllirta me para të pista e ndërtime këllirë.