Boçi: Reforma Zgjedhore nuk ka vlerë pa zgjedhjet e parakohshme
Ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, thotë se Reforma Zgjedhore nuk vlen pa produktin fundor të saj, që janë zgjedhjet e parakohshme. “Ishte e domosdoshme të kalonte nëpërmjet një reforme dhe kushtit të Bundestagut. Ne jemi të bindur që kjo gjë kalon me reformë, të kërkuar në bazë të kushteve të vendosura nga PD-ja dhe propozimeve tona. Kjo gjë është rruga që të çon në zgjedhjet e parakohshme”, u shpreh Boçi.
Sipas tij, “Rama e përdor zotin Gjiknuri për një lojë nervash, në mënyrë që opozita të mos ulej në tryezë dhe pastaj ta përdorte këtë si argument ndërkombëtar për të shtyrë qëndrimin e tij në qeverisje”.
“Ishte një modalitet i vendosur nga Rama, ne nuk kemi rënë dakord që Gjiknuri të jetë në atë tavolinë. Nuk do të kishte diferencë nëse Gjiknuri do të zëvendësohej nga Balla apo Spiropali, të gjithë kanë futur duart në zgjedhje”, theksoi Boçi. Ai nënvizoi gjithashtu se sistemi “nuk është thembra e Akilit të Reformës Zgjedhore”, edhe pse shtoi se Partia Demokratike është “e hapur për çdo sistem”.