“Bomba Zaev” nuk është rrufe në qiell të hapur, por as dhe stuhi në një gotë uji!
Nga Sali Berisha
Miq, një bisedë telefonike e bërë publike këto ditë e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev me persona të shtirë si presidenti i Ukrainës, ka pushtuar mediat dhe është vlerësuar si një “bombë”… etj, etj,.
Në të vërtetë, biseda është një denoncim ndaj projektit të Serbisë së Madhe dhe rrezikun luftë-nxitës të këtij projekti të Beogradit, i cili, padyshim, mbështetet nga Moska.
Ajo është, gjithashtu, një goditje e re dhe e merituar për flamur-mbajtësit shqipfolës të këtij projekti, Zografin Bis, Miladinin shqipfolës dhe Baton Stanishiqin, të cilët për lekurën, detyrimet dhe karrigen e tyre vazhdojnë me këmbëngulje qëndrimet e tyre antikombëtare.
Për të gjitha këto, biseda dhe qëndrimet e kryeministrit Zaev marrin rëndësi të veçantë.
Pas damkosjes në Samitin e Berlinit, në të cilin si askush tjetër në historinë e një kombi Zografi Bis, Miladini shqipfolës dhe Argati in chef u paraqitën si albanofobë apatridë me hartat e Serbisë së Madhe dhe të copëtimit të Kosovës, ata vazhdojnë me këmbëngulje të mbrojnë projektin e padronëve të tyre.
Në të vërtetë në Berlin u përballën dy qëndrime dhe dy projekte.
Nga njëra anë, projekti i Serbisë së Madhe i mbështetur nga Serbia dhe Rusia, si dhe trojka antikombëtare Zografi Bis, Miladini shqipfolës dhe Argati in chef.
Nga ana tjetër, projekti i paqes, stabilitetit, bashkëpunimit i refuzimit të Serbisë së Madhe dhe copëtimit të Kosovës, si dhe i ndryshimit të kufijve sipas linjave të pastra etnike, i mbrojtur nga kancelarja Merkel, presidenti Makron, organizatorë të Samitit, dhe krerët e ekzekutivit të Kosovës dhe Bosnjës, por edhe vendeve të tjera të pranishme në Samit, përveç Shqipërisë.
Në Samitin e Berlinit projekti i dytë varrosi të parin.
Po rikujtoj këtu se dështimin e plotë dhe me turp të projektit të Serbisë së Madhe në Berlin e pranoi publikisht dhe mori përgjegjësi të plotë para kombit te tij, Aleksandër Vuçiç.
Por ndryshe nga padroni i tyre, trojka famëzeze shqipfolëse albanofobe u përpoq të mbulonte dështimin e turpshëm gjer dhe me deklarata banditeske si “Berlini ishte samiti i fjalimeve boshe” se Merkelli (edhe emrin e kancelares e shqiptojnë serbisht) “tash ka marrë fund”, se “Merkelli ka dështuar”, dhe se “për samitin nuk ishin pyet SHBA”, duke aluduar me këtë se ata kishin miratimin e SHBA-së për projektin serbo-rus të serbomadhisë që mbronin në Samit, gjë që shkaktoi përgenjështrimin direkt të qeverisë gjermane, zëdhënësi i së cilës deklaroi se “çdo gjë ishte bashkërenduar me qeverinë e SHBA”.
Përveç këtyre, pas kësaj disfate të turpshme, flamur-mbajtësit shqipfolës të projektit të Serbisë së Madhe dhe copëtimit të Kosovës, Zografi Bis, Miladini Shqipfolës dhe Baton Stanishiq për të shpëtuar lekurën e tyre vendosën të hidhen me shpejtësi në treg planin B, apo planin e “Bashkimit Kombëtar” në emër të Serbisë së Madhe. “Na sulmuat ju për projektin që paraqitën në Berlin, shikoni se çfarë jemi të aftë të bëjmë tani kundër kombit shqiptar”, – do të mërmërisnin nëpër dhëmbë albanofobët shqipfolës. Projektin e “Bashkimit Kombëtar” në emër të Serbisë së Madhe e shpalosi në Has, Miladini Shqipfolës.
Sipas këtij plani, Parlamenti i Shqipërisë dhe ai i Kosovës do të miratonin deklaratën e Bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.
Kështu që në këtë projekt të Serbisë së Madhe, në funksion të tij nuk do të ishte vetëm Veriu i Kosovës me 3-4 komunat e tij, por meqë Kosova dhe Shqipëria do bashkoheshin, Serbia do mund të zmadhohej edhe më shumë.
Miq, defakto kjo do ishte thjesht një ndarje e Kosovës midis Serbisë së Vuçiçit, Miladinit shqipfolës dhe Baton Stanishiqit nga njëra anë, dhe Shqipërisë së Zografit bis nga ana tjetër. Prandaj dhe kryeministri Zaev në bisedën e tij bën fjalë për së paku 10 komuna të Kosovës që do ti kalonin tashmë Serbisë për ta bërë atë edhe më të madhe.
Ky ka qenë ekzakt plani i Serbisë së Madhe i Sllobodan Millosheviçit që në fillimin e viteve 90-të.
Në zbatim të këtij projekti të rilindur pas tre dekadash nga trojka apatride, zëdhënësit e saj hapën lajmin se Parlamenti i Tiranës do mblidhet për të marre një vendim historik me datën 13 qershor, domethënë, për të votuar deklaratën e Bashkimit Kombëtar në emër të Serbisë së Madhe.
Por, kryengritja popullore në Shqipëri bëri të pamundur një votim të tillë aventuresk, antikombëtar, dhe me sa duket edhe Parlamenti i Kosovës refuzoi të përfillte një ide, apo kërkesë të tillë antishqiptare të trojkës famëzeze.
Në kuadrin e këtyre zhvillimeve, mund të thuhet me plot gojë se Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në bisedën e tij me komikët e shtirë të Putinit ka pohuar me përgjegjësi të plotë para popujve të rajonit dhe botës të vërtetën tashmë universalisht të njohur se Zografi Bis për llogari të karriges së tij, Miladini shqipfolës për llogari të dosjes së tij në Gjykatën e Hagës, pra të lekurës së tij, dhe argati in chef në përmbushje të detyrave të tij po bëjnë gjithçka me urdhër të Vuçiçit dhe Putinit për zbatimin e projektit të Serbisë së Madhe, dhe se me këto qëndrime ata po i fryjnë zjarrit të një konflikti të ri në Ballkan.
Një element tjetër që del nga biseda e Zaev është se projekti i Serbisë së Madhe mbështetet jo vetëm nga Cari Putin, por edhe presidenti i Turqisë, Erdogan.
Në realitet Turqia dhe vetë presidenti Erdogan kanë qenë ndër mbështetësit më të vendosur të Pavaresisë së Kosovës dhe kanë ndihmuar në njohjet ndërkombëtare të saj.
Por e vërteta është, gjithashtu, se Presidenti Erdogan pas acarimit dhe ndërlikimit të problemit kurd dhe konfliktualitetit në rritje për Qipron, sipas medieve, ka deklaruar se Pavarësia e Kosovës ishte e gabuar dhe ka mundësi që edhe ai të jetë i përfshirë në projektin e Serbisë së Madhe, me qëllimin e “korrigjimit të gabimit“ dhe shpërbërjes së shtetit të pavarur të Kosovës për interesa të vendit të tij.
Si përfundim, mund të thuhet se biseda e Kryeministrit Zaev nuk është një rrufe në qiell të hapur, por as dhe një stuhi në një gotë uji. Ajo është një denocim i projektit të Serbisë së Madhe që i ka kushtuar rajonit një seri luftërash të përgjakshme dhe shqiptarëve pothuaj një milionë viktima. Prandaj dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut duhet falënderuar për qëndrimet e tij!