Bora dhe ngricat izolojnë Dibrën, probleme me dritat e ujin
Një nga qarqet e prekura nga temperaturat që shënojnë minus, është edhe Dibra. Në zonat e thella temperaturat shënojnë -16°c. Sipas informacioneve nga autoritetet lokale, Njësia Lurë është e bllokuar, ndërsa raportohet se nuk lëvizet drejt Peshkopisë, por vetëm nga Rresheni, pasi lartësia e borës vjen nga 30 deri në 50 cm.
Probleme ka edhe në Njësinë Sllovë, Zall-Reç, njësi këto, të cilat janë të bllokuara nga prezenca e akullit dhe dëborës. Probleme ka dhe Njësia Kalaja e Dodës, ku disa fshatra janë tërësisht të izoluara. Probleme ka edhe në zonën e Gollobordës si: Trebishti dhe Ostreni.
Rruga nacionale nga Peshkopia drejt Tiranës levizet pa problem. Në aksin Kukës-Peshkopi dhe Ura e Çerenecit-Librazhd lëvizet vetëm me zinxhirë. Rruga e Arbrit është e kalueshme.
Në Lur, Zall-Reç, Sllov, mungon energjia elektrike prej 24 orësh. Një pjesë e qytetit të Peshkopisë ka mungesë të ujit të pishëm nga ngrica.