Bora zbardh vendin, por dalin problemet e vjetra në akset kryesore

Viti nisi përveç se me vrasje, edhe me ulje të theksuar të temperaturave. Thuajse vvndi është zbardhur nga bora. Rruga e fshatit turistik që të çojnë në Dardhë të Korçës, janë bllokuar për shkak të reshjeve të borës që përfshinë edhe Voskopojën e Qafën e Qarrit në Juglindje. Rreshjet kanë qenë me intensitet më të lartë duke arritur deri në 20-centimetra trashësi në disa zona. Për të hapur rrugët është punuar për pastrimin e tyre me dy borëpastruese në Dardhë, një në Voskopojë dhe një në Qafën e Qarrit.

Sipas autoriteteve shtetërore, të gjitha rrugët janë të hapura dhe qarkullohet pa probleme dhe pa nevojën e zinxhirëve. Policia këshillon drejtuesit e mjeteve që duhet të jenë të pajisur me goma dimërore për të shmangur çdo rrezik që mund të krijohet në rrugë. Reshjet e shiut e borës kanë krijuar problematika të shumta edhe në qarkun e Kukësit. Në disa rrugë ka pasur rrëshqitje dherash dhe inertesh.

Më problematike mbetet situata në aksin Bajram Curri-Valbonë, ku rrëshqitjet janë të pranishme në disa pika të rrugës. Autoritetet rajonale thonë se aktualisht po punohet për normalizimin e situatës në rrugët rurale, ndërsa të gjitha akset kombëtare raportohen të kalueshëm. Thethi mbetet pothuajse i izoluar pasi trashësia e borës arrin deri në 1 metër. Nga Qafa e Thorës deri në brendësi të fshatit turistik lëvizin vetëm makinat e larta. Në pjesën tjetër të vendit, moti karakterizohet me reshje shiu e temperatura të ulëta.

SHKARKO APP