”Bosët” që izolohen për 1 vit, Gjonaj: Nga Shullazi tek Aliko, nga sot në ”41 bis”
Burgu brenda burgu ose siç njihet ndryshe si sistemi ”41 bis”, do të ketë banorët e parë. Zbardhen emrat e 7 “bosëve” që do të izolohen për një vit në qelitë VIP. Të burgosurit që do të izolohen janë: Genci Balla, Arbjon Aliko, Gilmando Dani, Endrit Zela, Emiljano Shullazi, Blerim Shullazi dhe Endrit Qyqja (Zela).
Emrat e tyre u bënë publike nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj gjatë konferencës së përbashkët me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj dhe kreun e SPAK, Arben Kraja. ”Janë marrë vendimet e para për izolimin e BIS-41. 7 subjekte do të jenë në izolim. Ata do të izolohen për 1 vit, pasi kanë mbajtur kontakte me grupet kriminale. Deri më tani SPAK ka kërkuar izolim për 8 subjekte. Personat në izolim nuk do të ketë kontakt me botën jashtë”.
Disa nga qelitë e paraburgimit 313 këtu në Tiranë, por edhe ambiente të burgut të sigurisë së lartë në Peqin do të përdoren si vendet e izolimit për të dënuarit që do t’i nënshtrohen aplikimit të rregjimit të ashpër ”41 bis”. Me hyrjen në fuqi të ”41 bisit” që në Itali vendosi nën regjim të rreptë monitorimi personazhe si Toto Rina, edhe në Shqipëri të dënuarve që vijnë nga krimi i organizuar do t’u kufizohen jo vetëm takimet, por edhe do t’u regjistrohen bisedat, telefonatat si edhe do kenë një regjim ndryshe në qeli që nga minimizimi i sendeve personale deri tek dalja rrallë në ajrim.
7 emrat
Arbjon Aliko
Emiljano Shullazi
Blerim Shullazi
Gilmando Dani
Endrit Qyqja
Genci Balla
Endrit Zela
Ata që do të gjykohen për veprat penale të krimit të organizuar, pjesëmarrje në organizata kriminale dhe terroriste, do të vendosen në një regjim të posaçëm me kufizim të të drejtave, me qëllim për të të parandaluar:
– kontaktet me organizatën kriminale ku bëjnë pjesë apo me organizata të tjera aleate;
– konfliktet e mundshme me elementë të organizatave kundërshtare;
– ndërveprimin me të burgosurit apo të paraburgosurit e tjerë që i përkasin të njëjtës organizatë ose të organizatave të tjera me të cilat ata bashkëpunojnë.