Bota diplomatike mblidhet në Riad për të diskutuar situatën në Sirinë e shkatërruar nga lufta

Diplomatët e lartë nga vendet e rajonit dhe perëndimi u mblodhën sot në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad për të diskutuar situatën në Sirinë e shkatërruar nga lufta, më shumë se një muaj pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Asaad.

“Mbledhja ndërkombëtare filloi me një takim midis ministrave të Jashtëm arabë dhe homologut të tyre turk Hakan Fidan”, njoftoi televizioni shtetëror saudit “al-Ekhbariya”.

“Bisedimet e tyre do të pasohen nga një takim arabo-ndërkombëtar”, shtoi transmetuesi.

“Ministrat e Jashtëm nga vendet fqinje të Sirisë – Turqia, Iraku, Jordania dhe Libani – si dhe ata të Egjiptit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Kuvajtit, kanë mbërritur në Riad për të marrë pjesë në bisedimet”, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve saudite SPA.

I pranishëm është edhe ministri i Jashtëm i përkohshëm i Sirisë, Hassan al-Shibani.

“Diplomatët e lartë nga Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe Spanja, si dhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, i dërguari i OKB-së për Sirinë dhe një përfaqësues i SHBA pritet të marrin pjesë”, sipas televizionit saudit “Al Arabiya”.

Në fillim të kësaj jave, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane tha se konferenca në Riad do të vijojë me diskutimet në një takim të mbajtur në Jordani në mes të dhjetorit.

Ai vuri në dukje se ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock kishte paraqitur një plan me tetë pika për Sirinë, i cili bën thirrje për një tranzicion paqësor në një sistem politik që u jep të drejta dhe përfaqësim të gjitha grupeve në shoqërinë siriane, si dhe adresimin e krimeve mizore të regjimit të al-Asaad-it.

Gjatë një vizite në Siri në fillim të këtij muaji, Baerbock dhe ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot u përpoqën të vendosnin kushte të qarta për mbështetjen e Bashkimit Evropian për vendin. //a.i/

SHKARKO APP