Botoks kontrabandë në Tiranë, në kërkim edhe Skerdi Faria

Botoks kontrabandë janë aplikuar nga dhjetëra klinika estetike në Tiranë. Kjo u zbulua pas kontrolleve të kryera pas një hetimi të Prokurorisë së Tiranës të nisur në muajin maj. Në kuadër të këtij operacioni janë kryer kontrolle në 30 klinika estetike në Tiranë, ku ka rezultuar se administratorët e tyre nuk deklaronin në organet tatimore të ardhurat që përfitonin nga injektimi i “Botoxit” tek pacientët pasi dyshohet produkti është i kundraligjshëm dhe i kontrabanduar.

Një informacion i ditëve të fundit, lidhur me kompaninë Capo-Al ka bërë që prokuroria të kërkojë miratimin në gjykatë për kontrollin e 30 qendrave estetike dhe disa magazina doganore dhe automjete, kontroll gjatë të cilit janë sekuestruar sasi të konsiderueshme botoksi të sjella nga Koreja e Jugut apo Turqia. Pronari i Capo-Al, Mildon Kumaraku, që rezulton furnizuesi kryesore me botoks i klinikave estetike, është vënë në pranga bashkë me dy të tjerë, ndërsa në kërkim është shpallur Skerdi Faria, mjek i klinikës Keit, i cili shpesh është shfaqur në ekranet shqiptare.

Kontroll u ushtrua dhe në klinikën e mjekes Senera Hoxha, e cila në 2021 ishte kandidate për deputete. Sipas ”Top Channel”, Senera Hoxha, e identifikuar nga Instagrami me emrin Chimera Clinic, njihet si shitëse e produktit të botoks. Kozeta Bakaj shet botoks të cilin e blen dhe importon nga Italia. Produktin kjo shtetase e shpërndan vetë në klinika të ndryshme, ose nëpërmjet një vajze, e identifikuar në rrjetin social Instagram me emrin “elaa”, e cila prezantohet si menxhere e shitjes së produkteve të klinikës Cozzy Aesthetics.

SHKARKO APP