Botuesi Çili del sot para Gjykatës së Përmetit, avokati: U vetëdorëzua
Këtë të dielë në orën 12:00 do të zhvillohet seanca gjyqësore në gjykatën e Përmetit për masën e sigurisë për të arrestuarit në kuadër të operacionit “Mezhgorani“ mes të cilëve është edhe botuesi dhe pronari i UET-së Henri Çili.
Avokati i botuesit Henri Çili, Andi Duraj, deklaron se klienti i tij është vetëdorëzuar në polici. Ai sqaron se urdhër arresti për Çilin mban orën 8:15 minuta të mëngjesit të së premtes edhe pse ai është vetdorëzuar në policinë e Tiranës që mbrëmjen e së enjtes rreth orës 10:00.
Duraj thekson për ”reportv tv”, se kjo është një shkelje ligjore pasi prej më shumë se 24 orësh askush s’ka shkuar për të pyetur klientin e tij. Po ashtu ai thotë se nuk ka prova për një korrupsion në sistemin e drejtësisë pasi në të kundër kjo çështje s’mund të jetë në kompetencën e gjykatës së Përmetit dhe s’është ajo gjykata që ka tagër të tillë.