Bozdo: Konferenca e Donatorëve rrëzoi alibinë e Ramës për komplot ndaj Shqipërisë në BE

Në konferencën e Donatorëve këtë të hënë të zhvilluar në Bruksel në kuadër të ndihmës për Shqipërinë pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit të 2019.

Në konferencë morën pjesë 100 shtete, ku shuma e grumbulluar nga dhuruesit kanë arritur në 1.15 miliardë euro, ndërkohë që dëmet nga tërmeti janë llogaritur nga qeveria shqiptare në shifrën e 980 milionë eurove, ndërsa rindërtimi kërkon rreth 1.08 miliardë euro.

Nisur nga suksesi i kësaj konference, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike Eno Bozdo shprehet se 1.2 miliardë euro u premtuan për Shqipërinë sot në Bruksel, ku 400 milionë euro vetëm nga ana e BE-së.

Teksa shpreh falënderimet tij, Bozdo vëren se Konferenca e Donatorëve rrëzoi dhe alibinë e mazhorancës dhe vetë kryeministrit Edi Rama se ndaj Shqipërisë nuk ka asnjë komplot apo projekt konspirativ lidhur me çështjen e integrimit në BE.

“1.2 miliardë euro u premtuan për Shqipërinë sot në Bruksel. 400 milionë euro vetëm nga ana e BE-së. Kjo është prova që miqtë e Shqipërisë, veçanërisht vendet e BE-së, na u gjendën në ditën tonë më të vështirë. Një falënderim dhe mirënjohje nga zemra për ta.

Por sot doli në pah diçka edhe më e rëndësishme. U vërtetua se kundër Shqipërisë nuk ka asnjë komplot apo projekt konspirativ. Përkundrazi.

Me pak fjalë, kur nuk na i hapin negociatat, kur flasin për krimin e organizuar, mafian, korrupsionin etj, këtë e bëjnë jo se janë kundër shqiptarëve, por pikërisht se e duan Shqipërinë dhe shqiptarët!

Dhe dy fjalë për Ramën: mos u emociono më shumë nga ç’duhet. Mos fillo të luash teatër për të treguar se sa shumë  të do ty BE. Sepse as të do dhe as të beson. Ndryshe sot Shqipëria do të ishte vetëm një hap larg BE. Por është me qindra kilometra larg. Jemi të fundit kudo dhe përgjegjësia për këtë është e jotja personalisht.

Sot Brukseli foli për Shqipërinë, dhe jo për ty. Sot ndihemi të gjithë më mirë se miqtë e vërtetë nuk na braktisën, megjithëse ti ke bërë çmos për të kundërtën. Prandaj më mirë hesht sot. Të paktën në qoftë se të ka mbetur sadopak dinjitet!”, shprehet anëtari i Kryesisë së PD-së, Eno Bozdo.

SHKARKO APP