Bozdo: Plani i qeverisë për të qetësuar opinionin, qytetarëve t’i sigurohet paraja
Për Partinë Demokratike plani ekonomik i qeverisë për të përballuar krizën financiare të krijuar nga koronavirusi është thjesht për të qetësuar opinionin publik.
Anëtari i kryesisë së PD, Eno Bozdo në një lidhje për RTV Ora tha se opozita është e shqetësuar pasi nuk është e qartë nëse ky plan i mbulon të gjitha kategoritë e qytetarëve.
Eno Bozdo: Plani i qeverisë nuk është një plan, por është një mënyrë për të qetësuar opinionin publik dhe për të treguar që dicka po bëhet edhe në ndihmë të ekonomisë. PD është e shqetësuar për faktin se nuk arrijmë të kuptojmë nëse ka një plan real një set masash, e cila do ta trajtojë krizën përveç sociale edhe ekonomike në muajit në vijim apo jo, do të jenë të mbuluara të gjitha shtresat e mbuluara të popullatës, po apo jo? Të gjitha ata që do të dalin të papunë dhe ka shumë që do të dalin të papunë për shkak të krizës, a do të trajtohen me ndihmë financiare, po apo jo? Çfarë do të ndodhë me bizneset, do të mbyllen do kenë mundësi që aksesojnë likujditet në banka, po apo jo? Si do të zhvillohet ky plan në një kohëzgjatje, një mujore, dy mujore, tre mujore ndoshta dhe më shumë sepse askush nuk e di kur do të mbarojë kjo gjë. Prandaj jemi të shqetësuar për këtë gjë. Shikojmë jo vetëm një mungesë transparence, por edhe një mënyrë për ta përballuar situatën me ato që na gjenden. Ndërkohë që kriza po na tërheq nga prapa, ne duhet ti paraprijmë krizës, por nuk shohim hapa të tillë në këtë drejtim.
Sipas Bozdos, imediate sot është të sigurohet paraja tek qytetarët, pasi deri tani nga qeveria nuk është bërë asnjë pagesë.
Eno Bozdo: Imediate për mua sot, duke mos prekur planin e luftës kundër pandemisë, është sigurimi i likuiditetit, pra i parasë. Paraja sot nga sektori bankar, i cili është me parametra të rregullta, i kapitalizuar, me likuiditet të plotë nga BSH, e cila duket që po merr veprimet e duhura, kemi një ngërç që kjo para qëndron në këtë sektor. Kjo para nuk po shkon tek ata që kanë nevojë, qofshin tek individë që është premtuar se do të paguhen të biznesit të vogël, qofshin ata që do të dalin nesër të papunë nga biznesi i madh, qofshin nëpërmjet aksesit në kapital financiar të kompanive. Nëse kjo para qëndron këtu dhe nuk shkon tek njerëzit ne po godasim rëndë kërkesën. Pra praktikisht jemi duke shkallmuar dhe atë pjesë të ekonomisë që vazhdon punon akoma. Kjo ka për ta dhënë efektin shumë shpejt. Është e patolerueshme, që 4 javë pasi ka ndodhur karantina asnjë njeri në Shqipëri të mos ketë marrë qoftë edhe një pagesë nga qeveria.