Braçe: Bëhet padrejtësi buxhetore, paratë hidhen kur i do toka, jo kur i do qeveria
Deputeti socialist Erion Braçe, nuk i ka kursyer kurrë kritikat për mënyrën sesi deri më sot shumica qeverisëse ka dështuar të ndërmarrë një reformë reale në bujqësi. Problemi me bujqësinë, sipas ish-zëvendëskryeministrit qëndron tek mënyra e të menduarit.
”Mënyra e të menduarit duhet të bëjë të mundur që një pjesë e mirë e parave publike që në fund të vitit nuk përdoren, të shkojë për të shkurtuar deficitin përtej limiteve që ke vendosur kur ke miratuar buxhetin. Por mendoj që do të ishte më mirë, që kur vendos stimuj fiskalë të përfitojnë të gjithë dhe në mënyrë të drejtë. Unë shoh të padrejtë faktin që bujqësia lihet në dorë të spontanitetit buxhetor. Vitin që shkoi u programuan më pak lekë sesa ne paguam në fund të vitit”,-u shpreh ai.
Po ashtu Braçe kujtoi se në bujqësi është angazhuar gjysma e popullit që punon dhe prodhon për gjysmën tjetër që konsumon. “Bujqësia i do paratë kur ka nevojë toka dhe kur ka nevojë bujku dhe jo kur do ti. Kjo mënyrë e të menduarit e lë bujqësinë në fund. Mbi kulturën dhe poshtë çdo sektori tjetër. Kjo është ajo që unë kontestoj”.
Për Braçen, qeveria duhet të planifikojë më shumë para për bujqësinë në buxhet dhe jo të premtojë që gjatë vitit me rialokime do ta ndihmojë këtë sektor sërish me para.