Braçe betohet kundër Jaguarëve: Nëse qeveria i blen, unë lë mandatin

 

Erion Braçe del kundër blerjes së makinave të markës “Jaugar” nga qeveria. Pak javë më parë në media u zbulua tenderi sekret i qeverisë për të blerë 29 makina të kësaj marke për qeveritarët. Ky tender u pasua me shumë kritika, pasi shpenzimet për blerjen e këtyre makinave arrinin në 3 milionë euro, në një kohë kur vendi po kalon në gjendje të vështirë ekonomike dhe si pasojë e varfërisë mbi 50 mijë persona kanë aplikuar për azil vetëm në Gjermani. Vetë Rama e ka mbrojtur blerjen e makinave luksoze, duke thënë se ato kushtojnë më pak se Mercedesët. Por Erion Braçe, duke folur në emisionin e gazetarit Enkel Demi, “Shih Programin”, u betua se nuk do të ketë blerje makinash për zyrtarët vitin e ardhshëm dhe përsëriti se ai do të lërë mandatin nëse Jaguarët do të blihen. “Vitin e ardhsëm nuk do të ketë blerje makinash për qeveritarët. Ia thashë dhe Berishës që të shikojë buxhetin se nëse ka Jaguar-ë unë e lë detyrën dhe dal nga Kuvendi”, u shpreh Braçe. Por siç ka njoftuar transparenca.al, faqja e qeverisë që përgënjeshtron lajmet kundër saj në media apo deklaratat e opozitës, tenderi do të zhvillohet nga Garda e Republikës. Siç duket, Braçe betohet më kot, pasi komisioni i ekonomisë që ai drejton, nuk ka kurrfarë lidhje me tenderin. 

SHKARKO APP