Braçe thirrje ministres që të lehtësojë masat: 60% e grurit prodhohet në tokë me qira, fermeri s’ka kontratë
Mbështetësi i vetëm pothuajse i fermerëve është deputeti socialist, Erion Braçe. Ish-zv/kryeministri ka reaguar për çështjen e nisjes së aplikimeve për fermerët që të përfitojnë për subvencionimin 30 mijë lekë për çdo hektar grurë të mbjellë. Për të 60% e grurit prodhohet nga toka me qira dhe fermerët nuk kanë kontrata për shkak të problemeve me pronësitë, ndaj i drejtohet me një apel Ministrisë së Bujqësisë që të lehtësojë procedurat.
“Nuk doni të dëgjoni, s’ka problem. Ama zgjidhni sepse bujqit nuk jua kanë për borxh problemet e pazgjidhura për prodhimin e grurit”, shkruan Braçe teksa ka rënditur dhe disa kërkesa për Ministrinë e Bujqësisë.
”1-Zgjidhni problemin e tokave me qira; mbi 60% e grurit do prodhohet në toka te tilla. Nuk mund t’i kërkoni njerëzve prezencë kur janë në emigracion. Nuk mund t’i kërkoni kontratë noteriale kur janë si qiradhënës në emigrim, nuk mund t’i kërkoni as kontratë noteriale nëse janë këtu sepse kushton 50 mijë lekë një.
2-Zgjidhni problemin e farës se grurit; binduni që bujqit po përdorin farën e tyre-prodhuar vete, e kanë blerë një vit më parë dhe një vit më pas ajo vlen, nuk mund t’i përjashtoni se nuk kanë faturë.
3-Zgjidhni problemin e vendit të aplikimit; nuk mund t’i orientoni bujqit të gjithë tek smartphone që nuk e kanë, as tek komshiu, as te sallat e internetit apo sekserët që marrin shumë para për të bërë aplikime, por tek pushteti vendor;
4.-Zgjidhni problemin e naftës falas, duhet tani. 50% nuk e kanë marrë ende dhe nuk kanë pse paguajnë paratë e mbështetjes buxhetore për një produkt më të shtrenjtë, të cilin ne e kemi politikë ta japim falas.
Shikoni, bujqit nuk kanë pse harxhojnë paratë e mbështetjes buxhetore as për burokraci, as për çmimet e rritura artificialisht të naftës apo plehrave kimike. Zgjidhni, e keni për detyrë”.