Braimllari: Akumulim i pakënaqësive të të rinjve ndaj qeverisë
Në një intervistë për gazetarin Xhoi Malësia në RTV Ora, Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari ka komentuar aktualitetin politik në vend e kryesisht protestat qytetare të ditëve të fundit pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha.
Sipas Braimllarit, protesta është akumulim i pakënaqësive të të rinjve, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se po tenton ta përdorë për politikën e tij të përditshme.
“Kryeministri po përdor çdo mekanizëm për ta trajtuar si çështje politike, por pse nuk është një çështje politike? Vrasja e 25-vjeçarit ka ndodhur nga dora e shtetit. E gjithë përpjekja e Edi Ramës është që ta trajtojë këtë si politike dhe sikur po organizohet nga opozita, që përfshihen aktorë të tjerë politikë, ndërkohë që nuk është aspak e vërtetë. Kjo është një protestë që ka të bëjë me akumulimin te të rinjtë e një mllefi që kanë ndaj shtetit, të cilin Edi Rama e ka zaptuar totalisht dhe e ka future në kthetra.
Kjo protestë nuk ka të bëjë me opozitën fare. Është reagim I çdo të riu, çdo të reje ku janë akumuluar e gjithë urrejtja mbi mënyrën se si Edi Rama ka qeverisur”, u shpreh Braimllari për RTV Ora.