Braimllari: Kemi qënë me maska, çfarë sikleti ka drejtori i policisë që bëhet ushtar i Ramës?
Kandidati për deputet në qarkun e Korçës, Endrit Braimllari, njëherësh edhe sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, ka reaguar i revoltuar për gjobën që mori nga autoritetet policore për shkeljen e masave anti-covid. Ai ka thënë se gjobitjen prej 5 milionë lekësh të reja e ka marrë vesh nga mediat. Më tej ai akuzoi drejtorin e policisë së Maliqit i cili sipas tij po sillet si ushtar politik i Ramës.
”E mora vesh nga mediat gjobitjen. Në kishim të gjithë maska dhe distancë. Nuk kuptoj çfarë sikleti ka drejtori që vendos të bëhet ushtar politik i Ramës. E kuptoj se Ferdinant Mara ka marrë porosi, por ta harrojë se do trembë. Të vendosë rend dhe siguri në Korçë se e dinë të gjithë se cfarë bën ai. Unë do e ndjek penalisht. LSI-ja ka mbështetjen e jashtëzakonshme të të rinjve. Dhe nuk ka ushtarë politik që ta ndalojnë pasionin e të rinjve. Unë kam informacionet e mia se ai ka urdhëruar që ti shkojë në shtëpi anëtarëve të LSI-së, duke i ushtruar presion të rinjve dhe të rejave të Maliqit. I kam të gjitha të dokumentuara”,-tha ai për ”Fax News”.
Z. Braimllari, ju jeni gjobitur për shkak të grumbullimit në Maliq. Si e konsideroni këtë vendim të Policisë së Shtetit ndaj jush?
Së pari, unë jam njohur nga mediat për një gjobë që Policia e Qarkut të Korcës ka vënë në drejtimin tim dhe në drejtim të një subjekti ku ne kemi zhvilluar një aktivitet në Bashkinë e Maliqit, një aktivitet, i cili po të shikohet edhe nga fotot kanë qenë totalisht në respektim të masave anti-covid, pasi të gjithë personat kanë qenë me maska dhe tavolinat kanë qenë nga 10 persona dhe në distancë nga njëri-tjetri.
Në hyrje të lokalit ka pasur të gjitha mjetet e duhura për të respektuar masat anti-covid. Po ju them me përgjegjësi të plotë që në të njëjtin lokal, apo në zonat përreth në Maliq janë bërë edhe aktivitete nga parti të tjera politike dhe nuk është marrë asnjë masë ndaj asnjërit prej tyre. Dhe sot po lexoj një lajm që Drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë ka dërguar një njoftim për të gjithë mediat, me të madhe, se Endrit Braimllari është gjobitur nga Policia e Shtetit. E para, dua t’ju them që unë e kuptoj sikletin e Rilindjes në Qarkun e Korçës, pasi LSI në Qarkun e Korcës është në rritje të pandalshme. E kuptoj që rilindja në Korçë është në alarm.
Pse është në alarm? Sepse të rinjtë dhe të rejat e Qarkut të Korçës, Maliqit, Kolonjës, Devollit, Pogradecit, Pustecit po përkrahin masivisht Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe të vetmen mënyrë që ka sot Edi Rama është të ushtrojë presion nëpërmjet lajmeve të tilla për të trembur simpatizantët e LSI-së. Por, e ka gabim sepse, anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së nuk tremben më nga një mostër politike si Edi Rama, sepse kjo tregon se Edi Ramës i ka ardhur fundi. Pse i ka ardhur fundi? Sepse është i trembur, Ushtron presion ndaj të rinjve dhe të rejave. Është i trembur dhe gjobit ish-deputetët e LSI, por nga ana tjetër gjobit edhe të gjitha lokalet ku LSI vendos aktivitetin e saj.
Unë e kuptoj që rilindja ka një siklet të tillë, por nuk kuptoj çfarë sikleti ka Drejtori i Policisë së Qarkut Korçë, Ferdinand Mara. Këtë nuk e kuptoj. Pse ky njeri vendos të bëhet ushtar politik? Unë e kuptoj që ushtari i Rragamit, dhe po e them me bindje të plotë, ushtari i Rragamit, që e di e gjithë Korça, Ferdinand Mara ka marrë përgjegjësi politike për të goditur përfaqësuesit e LSI, por ta harrojë se ai me këtë veprim do të arrijë të trembë përfaqësuesit e LSI në Qarkun e Korçës. Ferdinand Mara të shkojë atje të luftojë trafikun e drogës, të mos bëhet bashkëpunëtor me trafikantët dhe të mos marrë urdhra nga Rragami dhe Niko Peleshi, por të luftojë dhe të vendosë rendin dhe sigurinë në Korçë, sepse e dinë të gjithë qytetarët e Korçës se çfarë bën ky njeri. Patjetër që unë do e ndjek penalisht patjetër shantazhin që ky njeri ka ushtruar, jo vetëm ndaj meje, por edhe ndaj përfaqësuesve politikë të LSI në Maliq, duke i çuar Policinë e Shtetit në shtëpi, në kundërshtim me ligjin dhe duke iu bërë presion.
Pra është e qartë që Ferdinand Mara është në urdhrat politikë të Edi Ramës, Rragamit dhe Niko Peleshit në Korçë. Por, kjo gjë nuk më shqetëson? Pse? Sepse LSI ka mbështetjen e të rinjve të dhe të rejave. LSI në Qarkun e Korçës është në një rritje të pandalshme dhe nuk ka ushtar politik që ta ndalojë energjinë, pasionin e të rinjve dhe të rejave korçare për ndryshimin e madh në Korçë. Kjo betejë nuk është më Policinë e Shtetit, sepse brenda policisë së Korçës ka njerëz të ndershëm që kanë punuar ndër vite dhe po punojnë për të siguruar rendin dhe sigurinë publike.
Unë kam informacionet e mia të verifikuara që Drejtori i Policisë së Qarkut Korçë, Ferdinand Mara ka urdhëruar Komisariatin e Maliqit, jo vetëm të gjobisë Endrit Braimllari, por t’i shkojë në shtëpi simpatizantëve të LSI-së në kundërshtim me ligjin. Por, ai do të mbajë përgjegjësi duke filluar nga Ardi Veliu i parë e të gjithë me radhë. E di gjithë Korça që në fundjavë vetëm lokali i Rragamit punon dhe të tjerët mbyllen, m urdhër të këtij personi. Kjo është e turpshme. E para, unë nuk e njoh gjobën.
E dyta u bëj thirrje gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI patjetër të respektojnë masat anti-covid, për të mbrojtur jetën e njëri-tjetrit, por të vazhdojnë përpara me energji pozitive, me pasion, sepse 25 prilli është një festë kombëtare, sepse do të jetë dita e ndryshimit të madh. Dhe njëherë e përgjithmonë këto mostra policie shteti do të marrin fund, sepse nuk mund të përdoret Policia e Shtetit politikisht.