Braimllari: Rama mblodhi një Parlament dallkaukësh për të ndryshuar Kodin Penal me qëllim burgosjen e qytetarëve

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Endrit Braimllari deklaron se Edi Rama mblodhi dje një Parlament dallkaukësh për të ndryshuar Kodin Penal me qëllim burgosjen e qytetarëve të tij.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Braimllari shprehet se modeli i vetëm që ofron kjo qeveri në këtë situatë pandemie është burgu

“Në këtë situatë pandemie, në çdo vend të botës, qeveritë falënderojnë qytetarët për bashkëpunimin, hartojnë strategji me plan masash financiare, i shikojnë qytetarët e tyre si partnerë duke bashkëpunuar, mbledhin Parlamentin për të miratuar strategjinë e daljes nga kjo situatë.

Ndërsa në vendin tonë, Edi Rama mbledh një Parlament dallkaukësh për të ndryshuar Kodin Penal me qëllim burgosjen e qytetarëve të tij.

Modeli që ofron kjo qeveri në këtë situatë pandemie është burgu.

Qytetarët nuk kanë nevojë për burgosje, por kanë nevojë për një plan të qartë të daljes nga kjo situatë, kanë nevojë për TESTIME masive atë çka Edi Rama nuk po e ofron”, shprehet ish-deputeti i LSI-së, Endrit Braimllari.

SHKARKO APP