Braimllari: Situata e rendit në vend jashtë kontrolli, inkriminimi i policisë nga Rama
Në një deklaratë për mediat, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari reagoi për situatën kriminale në vend. Për të rritja e indeksit të kriminalitetit është një fakt që tregon qartë se Policia e Shtetit ka humbur kontrollin mbi territorin. ”Inkriminimi i një pjese të Policisë së Shtetit ka zbehur trësisht rolin e kësaj strukture dhe ka ulur besimin tek qytetarët”.
Deklarata e plotë
Situata e rendit dhe sigurisë publike në vend është jashtë kontrollit dhë në mëshirë të fatit. Ngjarjet e rënda kriminale, të ndodhura javëve të fundit veçanërisht që kanë kulmuar ditët e fundit kanë krijuar pasiguri tek qytetarët dhe biznesi. Rritja e indeksit të kriminalitetit është një fakt që tregon qartë se Policia e Shtetit ka humbur kontrollin mbi territorin. Inkriminimi i një pjese të Policisë së Shtetit ka zbehur trësisht rolin e kësaj strukture dhe ka ulur besimin tek qytetarët.
Kapja politike, e Policisë së Shtetit nga Edi Rama në këto 8 vite ka siguruar paprekshmërinë e trafikantëve dhe përdorimin e tyre në funksion të blerjes së votës dhe fakti më konkret ishin zgjedhjet e fundit të 25 prillit. Kjo situatë e rëndë ka vendosur në një pozitë shumë të vështirë pjesën e ndershme të trupës së Policisë së Shtetit, e cila ndihet e tradhëtuar nga një qeveri e bërë njësh me krimin e organizuar.
Për sa kohë që Edi Rama do të jetë kryeministër, për strukturën e policisë së shtetit nuk do të ketë një zgjidhje apo shpresë që ajo të kryeje funksionin e saj parësor për ruajtjen e rendit dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale të cilat po cënojnë sigurinë publike.