Braimllari: Të shembim politikën e korrupsionit të Ramës, të ndërtojmë politikën e shërbimit qytetar
Janari do të jetë i nxehtë sa i përket politikës në Shqipëri. Deputeti i LSI, Endrit Brahimllari ka paralajmëruar publikimin e materialeve që demaskojnë qeverisjen.
Në një intervistë për Politika Online, ai thotë se emri i Gent Cakajt, i zgjedhur nga kryeministrit Edi Rama për Ministër të Punëve të Jashtme konsiderohet provokim nga opozita.
Braimllari shprehet se ky post kërkon figurë të lartë politike që nuk reflektohet nga CV e Cakajt.
Sa i përket protestës së studentëve, Braimllari shprehet i sigurt se në datën 7 janar do të rikthehet më e fuqishme. Kjo, sipas tij, pasi VKM-të për uljen e tarifave të studimit janë mashtrim pasi ato nuk janë reflektuar me ndryshimin e buxhetit të shtetit.
Intervista e deputetit të LSI-së për “Politika Online”
A mund të pagëzohet 2018 si viti i protestave?
Patjetër, viti i protestave dhe viti i skandaleve të kësaj qeverie, ku janë zbuluar një sërë skandalesh.
Ka pasur më shumë skandale apo protesta?
Ka pasur protesta që vinin si pasojë e skandaleve të kesaj qeverie.Në mbyllje të 2018 kemi pjesën më të madhe të kabinetit të shkarkuar nga Edi Rama. Pra ka qenë një vit produktiv për sa i përket opozitës, në kuptimin e aksionit opozitar, por nga ana tjetër nuk jemi të lumtur sepse ka qenë një vit i keq për shqiptarët. Ka qenë një vit me rënie ekonomike, ka qenë një vit ku nuk ka pasur vende të reja pune. Ka qenë një vit ku shifrat për largimin e të rinjve nga vendi kapin 79%, pra 79% e të rinjve kërkojnë të largohen nga vendi. Varfëria ekstreme anembanë vendit, taksa të larta për biznesin e mesëm, mungesa e shpresës, mungesa e vendeve të reja të punës.
Por ka qenë edhe viti i skandaleve. Kujtoj këtu ku u demaskua blerja e votës së kryetarit të Bashkisë së Durrësit në fushatën e fundit elektorale, ku nga përgjimet zyrtare të Prokurorisë ishte pjesë e një skeme të tillë kriminale. Po kështu largimi i ministrave të brendshëm, por edhe largimi i ministrave të tjerë disa ditë para mbylljes së vitit të ri.
Ka qenë edhe protesta e studentëve, ku vërtetë ishte një reflektim shumë i madh për shoqërinë shqiptare, jo vetëm për klasën politike. Protesta e tyre ka qenë shumë masive, totalisht e organizuar nga vetë studentët dhe ka qenë një protestë model ku klasa politike duhet të marri shembull. Protesta e studentëve i dha një grusht shumë të fortë dhe shumë të rëndë kryeministrit të vendit dhe kësaj qeverie.
Rama e konsideroi shuplakë dhe një grusht për opozitën…
Ka qenë një grusht shumë i rëndë ndaj Edi Ramës. Ka qenë një grusht shumë i rëndë sepse Edi Rama lëvizi pjesën më të madhe të kabinetit për të mbrojtur veten e tij. Ka qenë një grusht shumë i rëndë dhe e ka rrëzuar qeverinë e Edi Ramës. Ka rrëzuar Edi Ramën.
Për shkak të Edi Ramës sot shqiptarët janë më të varfër. Për shkak të tij sot të rinjtë e vendit kërkojnë të largohen. Për shkak të Edi Ramës sot nuk kemi një ministër që të flasë për vende të reja pune. Nuk ka një strategji kjo qeveri për punësimin e të rinjve. Nuk ka një strategji për implementimin e politikave në shërbim të të rinjëve për sa i përket punësimit të të rinjve, për sa i përket bizneseve që punësojnë të rinjtë.
Sot kjo qeveri është në këto nivele për shkak të keqqeverisjes së Edi Ramës. Edi Rama nuk po e drejton vendin, ai është thjesht një fasadë. Protesta studentore i dha një mesazh shumë të qartë shoqërisë. Ishte një model pozitiv i të protestuarit. Protesta studentore demaskoi njëherë e përgjithmonë fasadën e Edi Ramës. Ja çorri njëherë e mirë maskën Edi Ramës dhe nxorri atë njeri, i cili nuk punon për të qeverisur vendin, por thjesht është një fasadë.
Ky shkon në zyrën e vet i gëzuar dhe mendon se Shqipëria është në rregull, ndërkohë që nuk është kështu, sepse ai nuk komunikon me banorët. Ai komunikon me partinë. Nëse kemi të bëjmë me një kryeministër që mendon me të vërtetë për hallet e qytetarëve dhe dëshiron të bashkë qeverisë me qytetarët, pse nuk shkon të dialogojë me banorët e Unazës së Re?
E mbani mend ju se çfarë tha ky ditën e parë kur ata banorë protestuan? Tha tekstualisht që nuk kam para për t’ju dëmshpërblyer, sepse paratë tuaja, pra të dëmshpërblimit, do ti çoj për kopshte, çerdhe, shkolla dhe spitale. Por çfarë u vërtetua pas dy javësh? Që ato para nuk shkonin në shkolla, për shërbime publike. Ato para shkonin drejtpërdrejt në xhepin e Edi Ramës, Damian Gjiknurit dhe Afrim Qendros nëpërmjet kompanive offshore në SHBA, që u vërtetua edhe falsifikimi i firmës së Sekretarit të Shtetit.
Erdhi aty dhe u tha banorëve që paratë do ti çojnë për shërbime publike, ndërkohë që paratë shkonin në xhepin e Edi Ramës. Nga ana tjetër Taulant Balla doli publikisht dhe i tha këtyre banorëve që nuk mund një grup i caktuar, të pengojnë proceset e zhvillimit të Tiranës. Por çfarë u vërtetua? Që Taulant Balla së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, do të devijonin shtratin e lumit për të investuar vetë aty në atë zonë dhe në kurriz të qytetarëve të këtij vendi.
A është opozita realisht gati për të ardhur në pushtet?
Kjo nuk është çështje pushteti, ndërrim njerëzish apo ndërrim qeverie. Është çështje filozofie. Ndryshimi i një filozofie të të bërit politikë.
Sot duhet të largohet filozofia e fasadës, sot duhet të jetë filozofia e të bërit punë, filozofia e veprimit, filozofia që kanë nevojë shqiptarët. Qeveria duhet të ketë filozofinë e rritjes së ekonomisë, e punësimit, hapjen e vendeve të reja të punës, e krijimit të shpresës së të rinjve në këtë vend. Duhet të gjithë të punojmë dhe të mendojmë që të ndërtojmë Shqipërinë, shtëpinë tonë. Edi Rama nuk e bën dot Shqipërinë, shtëpinë tonë. Edi Rama e ka larguar Shqipërinë nga të qenurit shtëpia jonë sepse ai e ka shkatërruar këtë vend. Ne duhet të punojmë që të ndërtojmë të ardhmen tonë këtu. Që Shqipëria të jetë shtëpia e çdo shqiptari. Që shqiptarët mos të shikojnë përtej kufijve për tu larguar sepse nuk kanë shpresë, sepse nuk kanë vende të reja pune, sepse nuk ka mundësi punësimi, nuk ka një sistem arsimor që i shërben të rinjve por ka një sistem arsimor klientelist, që shkatërron një brez të tërë. Edi Rama falë kësaj qeverisje nuk ka sjellë standard në këtë vend, por e ka çuar vendin gjithmonë e më pas në drejtimin e qeverisjes së vendit. Prandaj them që kjo nuk është çështje ndryshimi pushteti, por kjo është çështje filozofie. Duhet një filozofi e tërë që të gjithë të punojmë për të ndërtuar shtëpinë tonë në Shqipëri. Që Shqipëria të jetë vend i begatë dhe jo vetëm nga pasuria natyrore port ë jetë një vend i begatë dhe përsa i përket rritjes ekonomike dhe punësimit dhe angazhimit të të rinjve në këtë vend.
Protesta e studentëve për të ardhur në pushtet apo do ti paraprini kësaj?
Fakti që kemi një qeverisje e cila është e mbytur në skandale, që përditë denoncohen skandale, qoftë nga kjo opozitë por dhe nga banorët anë e mbanë vendit, tregon dhe njëherë që opozita e ka bërë punën e saj dhe është në detyrën e saj për të demaskuar këtë qeverisje dhe për të sjellë alternativën e qeverisjes së të nesërmes. Përsa i përket protestës së studentëve, jam njohuar nëpërmjet televizioneve dhe mediave sociale që ato do vazhdojnë më 7 janar dhe kam bindjen maksimale dhe nga komunikimet që kam pasur me student të cilët vërtet kanë një problem shumë madhor sot përsa i përket qeverisjes së vendit. Sepse të jeni të bindur që studentët nuk protestojnë vetëm për një tarifë në Universitet. Protestojnë për një të drejtë madhore. Protestojnë për ekonominë, për varfërinë, për prindërit e tyre. Sepse është akumuluar urrejtja ndaj Edi Ramës.
Kjo është ajo çka thotë opozita apo ajo çka thonë studentët?
Kjo është ajo çka ne marrim si mesazh nga protesta e studentëve. Një protestë masive, një protestë si kurrë më parë, e njëjtë si ato pas viteve 90 në këtë vend. Vjen për arsye ekonomike, që ka të bëjë drejtpërdrejt me ekonominë e çdo të riu. Kemi të bëjmë më një Kryeministër mashtrues. Pse nuk e rrit buxhetin? Pse nuk e ka sjellë në Parlament të reflektojë ndryshimet? Po ka një VKM do reflektohet në buxhet, pse nuk e ka sjellë në Parlament këtë reflektim? Pse nuk pranoi amendimet e grupit parlamentar të LSI për kërkesat e studentëve. Që ishin pikërisht zbatimi I 8 kërkesave që kërkonin studentët. Pra ky është një Kryeministër mashtrues që thjesht del dhe bën fasadë.
Ndërkohë protesta e qytetarëve të Astirit në gjykimin tuaj subjektiv si pritet të vijojë?
Atë e kanë bërë të qartë banorët, banorët kërkojnë ndryshim të projektit. Edi Rama kishte shansin që ditët e para të protestës të ulej, të dialogonte me banorët, të gjendet një zgjidhje për dëmshpërblim, sepse ende nuk ishte bërë publike aferat korruptive të Edi Ramës në kurriz të këtyre banorëve, por në momentin që u bënë publike aferat koruptive, 18 milion euro në kompanitë offshore dhe devijimi i shtratit të Lanës për interes të Taulant Ballës drejtpërdrejt dhe për të dëmtuar mbi 1300 familje, atëherë i çoi banorët të kalonin në një vendim ekstrem që kërkojnë ndryshimin e projektit, sepse ky projekt i kësaj qeverie rëndon drejtpërdrejt mbi këto banorë dhe nuk rëndon thjesht sepse do i shërbej Tiranës apo kryeqytetit apo njerëzve që do hyjnë e do dalin nga Tirana por do i shërbej xhepit të Edi Ramës, pra për xhepin e Edi Ramës 1300 familje të vuajnë për pronën që kanë investuar gjithë jetën, banorët janë të vendosur në rrugën e tyre. Ne i kemi përkrahur që ditën e parë dhe vazhdojmë ti përkrahim çdo ditë dhe si Lëvizje Socialiste për Integrim kemi qenë prezent dhe jemi me ato banorë në çdo hap që ato do ndërmarrin, të jeni të bindur që në këto 63 ditë protestë aty ka pasur shumë të vendosur që do i shkojnë deri në fund kauzës së tyre, sepse protestojnë për një të drejtë legjitime.