Braktisi foshnjen e porsalindur në bodrumin e pallatit, Policia gjen nënën. Mësohen detaje të reja
Nëna e foshnjës së braktisur në bodrumin e një pallati në Tiranë është identifikuar dhe ndaluar nga policia. Ajo është një grua 30-vjeçare nga Pogradeci, e cila jetonte në rrugën “3 Dëshmorët” në Tiranë. Foshnja e gjinisë mashkull mësohet se është shumë rëndë dhe po mbahet i intubuar.
Në momentin e mbërritjes në reanimacion foshnja ishte i mbuluar me gjak e baltë. Mjekët konstatuan hipotermi të thellë, gërvishtje të syrit të majtë, të gojës, të gishtave të dorës së djathtë dhe dëme të tjera që u konstatuan pas larjes.
Mbërriti pa shenja jete dhe u reanimua intesivisht duke u intubuar. Pas reanimimit intensiv prej 40 minutash, shfaqi shenja jete dhe më pas u bë mjekimi i plagëve. Ai mbetet në gjendje tepër të rëndë i lidhur me aparatin e ventilimit me parametra maksimalë. Mësohet se fëmija në momentin e parë u gjet i zhveshur, me kordonin umbelikal të pa prerë dhe i mbuluar me gjak.
Kujtojmë se foshnja e sapolindur është gjetur e braktisur në bodrumin e një pallati në zonën e Yzberishtit në Tiranë. Djali i sapolindur është gjetur nga një banor i pallatit, i cili ka njoftuar policinë dhe më pas është transportuar me automjetin e Policisë, së bashku me stafin mjekësor në spital. /TCH/