Brataj jep alarmin: Në plazhe s’respektohen masat, problem turistët nga Kosova
Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka analizuar situatën e Covid-19 në Shqipëri dhe është shprehur se në plazhe nuk respektohet asnjë masë. Brataj shprehet se sërish problemi qëndron në mos respektimin e masave parandaluese. ”Traditat tona të puthjeve edhe përqafimeve nuk duhet të vijojnë, e transportojnë me siguri infektimin. Jemi në një periudhë ku masat janë shumë më të lehta, dhe sërish nuk respektohen. Nuk ruhet asnjë lloj distance, shihet në çdo kronikë të plazheve”,- tha në ”A2cnn”.
Ai shton se shkak për përhapjen e Covid-19 është transporti publik, por edhe qytetarët që vijnë nga Kosova janë vatra infeksioni. ”Kosova ka përqindje infektimi shumë më të lart. Më preokupojnë autobusët që vijnë nga Kosova, por nga Ballkani në përgjithësi, sepse do të thotë që ka persona që për të paktën tri orë ndodhen në një ambient të mbyllur, që nuk ventilohet siç duhet. Pa mbajtjen e maskës, transmetimi aty është i sigurt”.
Brataj shton se duhet menduar me një farë optimizmi dhe se në qoftë se këto respektohen, për tri javë numrat e pandemisë zbresin në mënyrë të dukshme. ”Pres një përmirësim nga fillimi i shtatorit, të mos harrojmë që shifrat e sotme janë pasojë e asaj që ka ndodhur në korrik”. Kapacitetet spitalore deri metani kanë rezistuar, por Brataj bën një paralajmërim. ”Për momentin po përballojmë situatën me spitalet COVID1 dhe COVID 2 dhe kemi plane për hapjen e resurseve të tjera, por burimet nuk janë të pashtershme dhe njerëzit duhet ta kuptojnë. Sistemi ynë nuk është nga të parët në botë, edhe pse kanë shkuar në kolaps edhe sisteme shumë më të zhvilluara”.
Mjeku mohon po ashtu që në Shqipëri virusi të ketë kaluar në transmetim komunitar, nga momenti që ”për momentin kemi vetëm “cluster”, edhe pse ka zona më të nxehta në Tiranë por kjo është e kuptueshme në metropole, Normalisht kjo nuk do thotë që nuk mund të shkohet në transmetim komunitar”.