Brataj: Në Shqipëri dominon Covid-i, s’ka vend për panik
Në Shqipëri gripi është në kulmin e tij, megjithatë ajo që e rëndon më shumë situatën është edhe mbivendosja e viruseve, pasi përveç gripit të stinës, qarkullon dhe COVID, si edhe virusi RSV. Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj tha në studion e A2 CNN se virusi që po dominon aktualisht në Shqipëri është Covid, megjithatë shtoi se nuk ka vend për panik, siç u përjetua përgjatë pandemisë.
“Jemi në kulmin e gripit, është në fazën e rritjes akoma, numrat mund të shtohen edhe më shumë, sidomos që temperaturat kanë rënë. Shkaktar kryesor janë festat e fundvitit, ku bëhemi të gjithë bashkë. Kemi 3 viruse, mbivendosje viruset, veç gripit është Covid dhe RSV, Covid nuk është zhdukur fare, e kemi thënë që mund të shfaqet si grip sezonal.
Do ketë rritje të shifrave, njeriu i shëndetshëm nuk krijon komplikacione, personat me sëmundje bashkëshoqëruese mund t’i shkaktojë një riaktivizim të sëmundjes, pra duhet të jenë më të kujdesshëm, qëndroni në të ngrohtë, lëngje dhe regjim shtrati.
Fëmijët që përballen me gripin, Covid për herë të parë, temperatura nuk është e keq, tregon që trupi po reagon, s’duhet të kalojë 39 temperatura, kur ka vështirësi frymëmarrje, kur ndryshon ngjyra e lëkurës, apo e buzës, nëse ka një si përgjumje, duhet të dërgohet në spital”, shtoi ai.