Breçani: Ja gabimi më i madh i RENEA-s në Lazarat

 

Erzen Breçani, ish- shefi i ‘specialëve’, ishte ndër të parët që u shfaq në spital kur mbërritën efektivët e plagosur në Lazarat.

Atëherë nuk komentoi shumë, por pas disa ditësh, Breçani flet për operacioni, duke rezervuar disa kritika.

“Nuk kemi një koordinim të forcave të RENEA-s me policinë lokale,” thotë Breçani për GSH.

“Kjo pasi nuk u kanë dhënë informacionin e duhur specialëve se personat kanë një rrezikshmëri të lartë, nuk u kanë dhënë informacionet se personat janë në këtë godinë apo janë në lëvizje”.

“Unë e kam vlerësuar operacionin e vjetshëm në Lazarat, por nga ajo kohë ka kaluar një vit dhe gjatë kësaj kohe, anëtarët e këtij grupi kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për RENEA-n. Gabimi më i madh i policisë ka qenë tërheqja dhe që e kanë lënë të riorganizohej ai grup. Aq më tepër që janë persona të rinj, përdorues të lëndëve narkotike. Gjatë një viti nuk janë mbajtur nën përgjim të vazhdueshëm, apo nuk kemi parë që gjatë këtij viti të bëhet një arrestim i një të kërkuari nga policia”.

Ai thotë se RENEA nuk duhej të kishte hyrë në Lazarat me makinë të pablinduar.

“Ne kemi hyrë më parë edhe me mjete të tjera, edhe me Benz të thejshtë, por me targa të përshtatshme, por një mjet Volkswagen nuk duhej të ishte futur”.

“Është një lloj hakmarrjeje ndaj forcave të policisë. Duhet të sqarojmë se e njëjta situatë ka ndodhur në vitin 1998 në Lazarat, ku policia hyri pa plan, pa objektiv dhe u plagosën 7 efektivë”.

Në fund, Breçani thotë se ministri Saimir Tahiri duhet të heqë dorë nga drejtimi operacional i policisë dhe të rikthejë në detyrë profesionistët, që janë larguar, por që kanë fituar gjyqin.

“Në asnjë vend të botës nuk ikin brenda një viti 35-40 efektivë të RENEA-s dhe të zëvendësohen me të rinj”, thotë ai.

“Kur kam qenë pjesë e atij reparti, kurrë nuk kemi nxjerrë në shërbim efektivë që nuk kanë mbushur 6 apo 8 muaj nga futja te RENEA-s”.

Ibrahim Basha ishte pranuar në RENEA vetëm dhjetorin e shkuar dhe ishte në vend të parë të një furgoni policie të pablinduar, kur u qëllua për vdekje.

SHKARKO APP