Bregasi-Ramës: Të vaksinohen stafet e hoteleve. Presim një sezon më të mirë, bota po vaksinohet

I pranishëm në takimin e kryeministrit Edi Rama me operatorët turistikë në Durrës, Presidenti i “Biznes Albania”, Luan Bregasi, kërkoi nga kreu i qeverisë që operatorët turistik këtë sezon verorë të vijnë me një ofertë të re.

Ai tha, se do të ishte e udhës që të vaksinohej i gjithë personeli i hotelit, në mënyrë që kjo t’i promovohej turistëve të mundshëm që do të vijnë nga vende të ndryshme të botës.

Gjithashtu Bregasi, falenderoi kryeministrin për punën e bërë në sektorin turistik, më konkretisht në betejën ndaj informalitetit dhe rritjen e arsimit në aftësimin profesional.

“Jemi të nderuar që jemi në këtë takim, ku diskutohen projektet e të ardhmes në fushën e turizmit. Edhe si sipërmarrës që kam investuar në sektorin e Durrësit. Dua të them që gjatë këtyre tetë viteve të mazhorancës, biznesi, por turizmi në mënyrë të veçantë është ndjerë mirë. Nëse Rama do të mbahet mend, e para për fokusin e veçante që i dha sektorit të turizmit dhe e dyta për fokusin e veçantë që i dha arsimit dhe aftësimit profesional dhe e treta betejën që kemi bërë ndaj ifnromalitetit në ekonomi. Këta e kanë fuqizuar ekonominë private. Hoteli që kam në Durrës, ka moshën e mandatit të PS. Nuk doja të investoja në fakt. Unë përshembull mendoja në fillim ta bëja spital, mbrapa një azile për pleq, nuk mendoja ta bëja hotel, nuk dija se do i shihja hajrin. Por besuam, këtë besim, ne kemi parë një qeveri që e ka ndjekur, në mënyrë shumë korrekte me infrastrukturë, përmirësim të sistemit të taksave, tatimeve, kontrolleve.

Unë e vlerësoj sepse ndihem i ndihmuar në sektorin e turizmit. Dua të falenderoj zotin Klosi që ka qenë një ministër shumë pranë nesh, edhe gjatë kohës së pandemisë, por edhe gjatë kohës së tërmetit. Ne mirëpresim çdo lloj projekti. Ky investimi që pritet të bëhet nga kompania arabe. Unë besoj që i keni bërë një gjilpërë atij, sepse ai tha që kryeministri juaj është ambicioz, madje sikur e tha troç që më ka sjellë kryeministri këtu. TVSH-ja 6% ka ndikuar dhe në luftën ndaj informalitetit, nuk i di shifrat, por e perceptoj që biznesi sa më të ulëta t’i ketë taksat aq më shumë të ardhura deklaron. Edhe shumë shërbime të tjera, për një grup hotelesh, mund të bëjnë dhe restorantet, baret.

Ne presim një sezon më të mirë, sepse bota po vaksinohet edhe Shqipëria. Edhe pandeminë e keni ndjekur shumë mirë, edhe tërmetin. Do të propozoja nëse ne do të bëjmë një ofertë të mirë, do të ishte që në hotelet shqiptare do të keni të gjithë personelin e vaksinuar. Nëse vijnë turistë të huaj nga Izraeli të vaksinuar dhe ne të mos jemi, kjo nuk do të ishte gjë e mirë. Më tha një sipërmarrës, nuk po e them emrin, më tha hajde të regjistroj roje spitali të bëjmë vaksinën. Por më vinte turp tha që të regjistrohem si roje e një spitali. PO vdiq një njeri, vdes një njeri, por nëse vdes një sipërmarrës, vdes e gjithë sipërmarrja e tij. Ideja ime është që oferta turistike të ketë dhe ofertë shëndetësore”, tha Bregasi.

SHKARKO APP