”Bregdeti ynë”, do të shemben 254 objekte deri në fund të muajit
Në kuadër të aksionit “Bregdeti ynë”, prej dy javësh mësohet se janë shembur 58 objekte. Zv.kryeinspektori, Guri Seferi, thotë se aksioni ka vijuar nga Veriu në Jug. “Janë prishur në Ksamil 22 objekte, në Velipojë 11 objekte, në Shëngjin 10, në Sarandë 5 që po vazhdon aksioni dhe në Durrës 10”.
Seferi shprehet se ndërhyrja e radhës do jetë në Vlorë, për të vijuar me qarkun e Tiranës dhe së fundmi me Fierin. “Do vazhdojë në qarkun e Vlorës, pjesa e rivierës që nga Borshi deri në Dhërmi. Pastaj me Tiranën që është bregdeti i Kavajës dhe i Rrogozhinës dhe në fund mbetet qarku i Fierit”.
I pyetur se përse shembjet nisën pikërisht në fillim të sezonit turistik, zyrtari i IKMT sqaron se kjo vjen për shkak të procedurave të zgjatura, apo dhe ristrukturimit të institucionit.
“Të bësh një aksion siç është ky aksioni “Bregdeti ynë” do të thotë që do njëfarë kohe dhe kjo do 3-4 muaj. Biznesit të rregullt të ligjshëm i lë hapësirë për të kryer funksionin e shërbimit të tyre për turistët. E dyta, turistëve iu krijohen kushte çlodhëse e sipërfaqe më të mëdha”. Aksioni është planifikuar të zgjasë deri në fund të muajit Qershor, ku janë përcaktuar 254 objekte për t’u shembur.