BREXIT/ Rama i propozon një tjetër ”martesë” Britanisë me BE: Të jesh vetëm nuk është dhe aq argëtuese

Kryeministri Edi Rama, në intervistën shumë të gjatë për radion britanike, nuk ka lënë pa komentuar as largimin e Britanisë nga Bashkimi Europian. Për kreun e qeverisë ka raste kur funksionojnë martesat e dyta dhe ndoshta në një moment më vonë, Britania mund edhe ta mendojë sërish ”martesën” me BE-në. ”Të jesh vetëm, i rrethuar nga uji, nuk është gjithmonë dhe aq argëtuese”.

A dëshironi ende dëshpërimisht të hyni në Bashkimin Evropian, cili është vlerësimi juaj për rolin e Britanisë së Madhe në botë?

Rama: Të qenit Europë, do të thotë që ne të jemi në një vend të sigurt, dhe të jemi në një vend ku njerëzit kanë rëndësi dhe jo aty ku të tjerët vendosin për ju. Ndonjëherë e dini se është e sikletshme, kur të duhet t’i përgjigjesh pyetjes se Britania e Madhe po largohet, ndërsa ju kërkoni të hyni në BE. Duket sikur, ju jeni në dijeni të divorcit dhe u thoni të rinjve të mos martohen. Nuk funksionon kështu. Ju e dini që të gjithë duhet të përjetojnë martesën për të kuptuar se ndoshta nuk është dhe aq e mahnitshme. Kështu që, divorci nuk i ka penguar kurrë të tjerët të martohen.

Dhe disa martesa funksionojnë…?

Rama: Madje, ka raste kur martesat e dyta funksionojnë, kështu që ndoshta Britania e Madhe do të kthehet një ditë për t’u rimartuar me Europën. Duket e pamundur sot, por mbase një ditë ajo do ta rimendojë, sepse të jesh vetëm, i rrethuar nga uji, nuk është gjithmonë dhe aq argëtuese.

SHKARKO APP