Briseida Shehaj: Kam dhënë 20 herë dorëheqjen, Rama nuk më ka dhënë urdhëra
Nënkryetarja e LSI-së në Tiranë Briseida Shehaj, ka folur për periudhën kur ishte drejtoreshë e Tatimeve. Ajo ka zbuluar se asnjëherë nuk ka pasur qëllim karrierën politike, ndërsa ka shtuar se urdhra nga kryeministri Edi Rama nuk ka marrë asnjëherë.
Keni marrë urdhra?
E kam thënë disa herë, mua Rama nuk më ka ndërhyrë kurrë. Kam dhënë mbi 20 herë dorëheqjen. Nëse do dikush ta bëjë më mirë se unë, nuk e kisha me tapi e pronë të babës por urdhra, kurrë. Ata që thonë që kam marrë urdhra, është shumë e thjeshtë, mos prano urdhrin bëj detyrën ose largohu. Unë jam larguar nga gjitha ajo filozofi.
Keni pasur informacione që nuk i keni bërë publike? Mos jeni kritike ndaj Ramës si hakmarrje?
Nuk e kam akuzuar Ramën, kam thënë që jam mirënjohëse sepse kishte të tjerë të rinj që e meritonin, mua mu dha rasti të bëja më të mirën time. Ishim bashkëpunëtorët kryesorë të strukturës së hetimit tatimor, nëse shihen raportet, u kthye në strukturën më të mirë të krimit ekonomik në vend. Jam njeriu që kam çuar 400-500 milion euro në prokurori dhe nuk ka pyetur se kush ishte. Nuk i jam dorëzuar kërcënimeve dhe eci e lirë nëpër Tiranë.
A keni heshtur?
Ti çosh në prokurori është heshtje? Nuk mund të bëja karagjozen. Nuk del në televizion as nuk bën filma sikur zihesh e shahesh, kur je titullarë e një institucioni vepron me firmë e vulë. Mund të veproja vetëm kështu. /Balkan Web/