Brukseli në gjendje lufte. Terroristët mund të kenë lëndë kimike (FOTO)

 

Autoritetet belge kanë të dhëna se kryeqyteti i vendit, Brukseli, mund të goditet nga një sulm terrorist.  Për këtë arsye siguria është çuar në nivelin më të lartë. Për herë të parë, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, në kryeqytetin Belg kanë dalë në rrugë forcat ushtarake.

Ushtarë të forcave speciale të pasur me armatim të rëndë janë parë të patrullojnë sot në rrugë kryesore të qytetit dhe në institucionet ndërkombëtare të vendosura në këtë qytet.

Qendra e Krizave në Ministrinë e Brendshme Belge ka dhënë alarm tek forcat e sigurisë pa lënë vend për keqkuptim: Mund të goditemi nga një sulm terrorist. Mediat belge raportojnë se alarmi ka ardhur pasi në një aksion kontrolli të policisë në lagjen Molenbeek janë gjetur lëndë eksplozive dhe lëndë kimike. Nuk jepen detaje se për çfarë lëndësh kimike bëhet fjalë dhe a mund të flitet për një rrezik armësh kimike.  

Molenbeek cilësohet si “çerdhja” militantëve islamik në Belgjikë. Të dhënat e para flasin se edhe sulmi që u krye një javë më parë në Paris u organizua nga celula ekstremiste me bazë në këtë lagje.

Një tjetër alarm ka ardhur nga shërbimet e sekrete të vendeve të BE. Sipas gazetës londineze Dailymaili, mësohet se xhihadistët kanë ndryshuar strategji lufte. Sipas burimeve, celulat janë udhëzuar që të mos shkojnë për të luftuar më në Siri, por të godasin në vendet ku ndodhen në BE, SHBA, Ballkan etj.   

Ministria e Brendshme belge ka dhënë udhëzime të rrepta për forcat e rendit dhe kontrollet që duhet të kryhen. Kështu popullsia është udhëzuar qe të evitojë qëndrimin në vende ku ka përqendrim të madh lëvizjesh; stacione hekurudhore, aeroporte, lokale nate, salla koncertesh, qendra tregtare. 

Në një komunikim të orës 14:00 Qendra e Krizave në Bruksel e cilësoi situatën alarmante. Policia ka mbyllur qendrën kryesore turistike në vend, “Atomium” dhe qendrën e vizitorëve për Parlamentin Europian. Të katër linjat e metrosë së Brukselit janë mbyllur. Ndeshja e dy skuadrave kryesore të vendit është pezulluar. Gjithashtu janë mbyllur zyrat postare, pishinat publike dhe qendra më e madhe tregtare e vendit. 

SHKARKO APP