BSH paralajmëron uljen e normës bazë të interesit, 3 kanalet si tërmeti i 26 nëntorit do ndikojë ekonominë shqiptare
Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar se do të ulët sërish normën bazë të interesit, në një përpjekje për të nxitur ekonominë, rreziqet për të cilën janë shtuar pas tërmetit të 26 nëntorit. Banka ka rishikuar gjithashtu në ulje pritshmërinë për rritjen ekonomike për këtë vit.
Aktualisht norma bazë është në nivele minimumi historike prej 1%, pas një periudhe të gjatë të politikës lehtësuese monetare, të nisur që nga gjysma e dytë e vitit 2011, që synon të ulë koston e parasë, duke nxitur investimet në ekonomi.
Në prezantimin e raportit të politikës monetare të tremujorit të katërt, Banka e Shqipërisë bëri të ditur se ekonomia shqiptare do të vijojë të qëndrojë në një trend pozitiv në horizonin afatmesëm. Megjithatë, perspektiva atatshkurtër e zhvillimeve ekonomike dhe financiare do të përcaktohet në një masë të konsiderueshme nga pasojat e tërmetit të datës 26 nëntor. Rritja ekonomike dhe inflacioni i vitit 2020 priten të ndikohen negativisht nga tërmeti, tha Banka, e cila për rrjedhojë ka rishikuar parashikimet në kahun e poshtëm.
Në afatin e mesëm, ritmet e rritjes ekonomike pritet të përshpejtohen, duke shtuar presionet inflacioniste.
Programi i ri-ndërtimit do të japë një impuls pozitiv per sektorin e ndërtimit, duke mbështetur rritjen më të shpejtë të ekonomisë. Kthimi i saj në ekuilibër pritet të shoqërohet me rritjen e përdorimit te kapaciteteve prodhuese dhe me rritje më të shpejtë të pagave dhe të kostove të prodhimit. Ne përputhje me këto parashikime, inflacioni pritet të kthehet në objektiv, në gjysmën e dytë të vitit 2021.
Politika monetare duhet të ruajë kursin akomodues në afatin e mesëm. Stimuli monetar është i nevojshëm për të mbështetur rritjen e kërkesës agregate dhe forcimin e presioneve të brendshme inflacioniste, tha banka.
Banka shtoi se ambienti i brendshëm financiar paraqitet stimulues, në përgjigje të politikes monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Kursi i këmbimit është stabilizuar. Primet e rrezikut në tregjet financiare janë të kënaqshme dhe normat e interesit të instrumenteve të financimit në lekë qëndrojnë në nivele minimale të ulëta. Kredia është rritur me ritme të kënaqshme në 2019-n.
3 kanalet si tërmeti do ndikojë ekonominë
Sipas Bankës së Shqipërisë, tre kanalet se si tërmeti do të ndikojë negativisht ekonominë janë:
-Së pari, dëmtimi i ambienteve të biznesit, rritja e e pasigurisë dhe riorientimi i shpenzimeve drejt riparimit të dëmeve, pritet të materializohen në ngadalësim të prodhimit në disa sektorë, përfshirë edhe turizmin;
-Së dyti, Rritja e pasigurisë dhe riorientimi i shpenzimeve drejt riparimit të dëmeve, pritet të materializohen në ngadalësim të konsumit.
-Nga ana tjetër, procesi i ri-ndërtimit pritet të japë një efekt pozitiv në rritje, por ky efekt do të jetë më i vonë në kohë krahasuar me goditjet negative dhe as mjaftueshmërisht i fortë, sa të kompensojë efektet e tyre.
MONITOR