BSH: Treguesi i ndjesisë ekonomike rritje në Tetor
Treguesi i ndjesisë ekonomike shënoi rritje të lehtë me 0.4% në muajin Tetor sipas raportit më të fundit të Vrojtimit të Biznesit dhe Konsumatorit nga Banka e Shqipërisë.
Ky tregues qëndron rreth 13 pikë mbi mesataren historike referuar të dhënave zyrtare dhe ky përmirësim u ndikua kryesisht nga rritja e besimit në sektorin e shërbimeve.
Në një masë më të vogël ndikoi edhe rritja e besimit konsumator dhe e sektorit të tregtisë. Banka e Shqipërisë nënvizon se Treguesi i Besimit në Shërbime shënoi rritje me 4% në Tetor, duke përcaktuar rritjen e treguesit të përgjithshëm ku niveli i tij aktualisht qëndron 19 pikë përqindje mbi mesataren historike.
Rritja e Treguesit të Besimit në Shërbime u përcaktua kryesisht nga balancat më pozitive lidhur me ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre dhe nivelit aktual të kërkesës.
Një tjetër element i rëndësishëm i Vrojtimit të Biznesit dhe Konsumatorit nga Banka e Shqipërisë është edhe Treguesi i Besimit në Tregti që regjistroi rritje të lehtë me 0.1% në muajin Tetor, i ndikuar kryesisht nga vlerësime më të mira për ecurinë e biznesit aktual.
Pritjet për çmimet në të ardhmen u vlerësuan me rritje nga bizneset e këtij sektori. Treguesi i Besimit Konsumator gjithashtu regjistroi rritje me 0.2% duke vijuar prirjen e lehtë rritëse të muajve të fundit. Ky nivel është 1.6 pikë përqindje mbi mesataren historike thuhet në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë.
Nga ana tjetër, treguesit e besimit në sektorin e industrisë dhe në atë të ndërtimit shënuan rënie në krahasim me një muaj më pare. Më konkretisht Treguesi i Besimit të Industrisë regjistroi rënie me 2.5% në muajin Tetor, ndërsa Treguesi i Besimit në Ndërtim u tkurr me 3.3% edhe pse niveli i tij aktualisht qëndron 23% pikë mbi mesataren historike.