Bujar Asqeriu: Kam mbijetuar me punë jo me tesera partie. Thirrja ime për kryeministrin

Aktori i madh i skenës shqiptare Bujar Asqeriu ka qenë i ftuar sot në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News24. Ai ka folur për karrierën e tij, problemet e teatrit dhe debatin e madh me pro dhe kundër për prishjen e Teatrit Kombëtar.

Asqeriu, i rreshtuar tek zërat kundër këtij vendimi thotë se Teatri Kombëtar është frymë, është shenjtëri dhe nuk mund të prishet, duke e krahasuar me kishat e xhamitë. Ai tregon se karrierën e tij e ka ndërtuar me shumë punë dhe jo duke tundur tesera të partive, shkruan “BalkanWeb”. Aktori fjet për drejtuesit në vite të teatrit ndërsa i drejton një thirrje kryeministrit Edi Rama, tek i cili beson ende se do të kthejë mendje për prishjen e teatrit.

Fillimisht më lejoni t’ju pyes për shfaqjen që keni pikërisht ditën e sotme në natën e tretë në kryeqytet pasi ka pasur një tur në qytete të tjera siç është Durrësi apo Korça, një komedi ndryshe me regji të Driada Dervishit.  Si ndiheni zoti Asqeri në këtë shfaqje në 73-vjetorin e teatrit?
“Komedia që shkon për dreq” e ka titullin, një komedi angleze, e cila është shkruar në 2014 pas suksesit të jashtëzakonshëm në Angli u përhap me shpejtësi të madhe në Amerikë dhe Europë dhe sot është një nga komeditë më të suksesshme që shihet në mbarë botën. Ishte gjetja e regjisores Driada Dervishi që e përzgjodhi komedinë dhe vendosi ta vinte në skenë. Me thënë të vërtetën kjo komedi, e quajtur komedi farsë ma vuri në një pozicion të vështirë të interpretimit sepse komeditë farsë përveç improvizimit me rëndësi parësore është plastika, lëvizja. Kjo është në homazh të mjeshtrave të mëdhenj që tronditën botën me talentin e tyre gjenial. Për ne që jemi mësuar në komedi klasike që të operojmë nëpërmjet fjalës e situatës e kishim paksa të vështirë ta kuptonim, pastaj dhe ta realizonim. Kemi bërë përpjekje maksimale, ështën jë punë rreth 3 muaj për të realizuar komedinë.

A mbushet salla e Teatrit Kombëtar për të parë shfaqjen tuaj?
Në dy netët që kanë kaluar salla ka qenë e tejmbushur. Sonte është plot. Më shqetëson fakti që vjen dimri dhe ankohemi për teatrin se është ftohtë, vjen vera ankohemi për sallën se është nxehtë. Prandaj ne këmbëngulim në rikonstruksionin e teatrit. Disa duke u nisur nga e ftohta apo i nxehti thonë hë mo ta rrafshojmë atë teatër. Jo zotëri sepse teatri nuk është beze, nuk është tjegull, nuk është beton, është frymë, është shenjtëri. U prishën kishat e xhamitë por u ndërtuan prapë në ato vende. Pse është shenjtëria e frymës. Nuk mund ta rrafshosh shenjtërinë e frymës. Po e duam një teatër dinjitoz por ruaje kaq histori, 73 vjet.

Kur keni nisur në teatrin kombëtar, kur ka qenë shfaqja juaj e parë, në cilin vit?
Unë kam punuar 18 vjet në teatrin e Vlorës, “Petro Marko”. Kam ardhur nëpër festivale në Tiranë me teatrin tim por tani kam 22-23 vjet në Teatrin Kombëtar si aktor, dhe vepra e parë është “Muzeu” i Kasëm Trebeshinës me regjisor gëzim Kamen në vitin 1998.

Cilat kanë qenë vitet e shkëlqimit për ju?
Në përgjithësi unë quaj vlerë të padiskutueshme komunikimin dhe punën që kam bërë më kolegët e mi në drejtimin e regjisorit apo regjisores. Artistët janë si fëmija, ne e kemi dashur dhe respektuar njeri-tjetrin. Problemi është administrata dhe politika që fut hundët. Futet bytyç dhe krijon pakënaqësira, qejfmbetje, shpeshherë vë gishtin duhet të futet ky në teatër apo ky. Jo në teatër duhet të futen ata që janë të talentuar dhe kemi plot vajza e djem që meritojnë.

Cilat kanë qenë vitet më nostalgjike?|
Për mua çdo ditë e çdo muaj është nostalgjik sepse pavarësisht shumë faktorëve ngaqë e dua këtë profesion punoj me pasion dhe harroj çdo gjë. Qoftë në tavolinë qoftë në mizanskenë më mbulon magjia e këtij arti dhe nuk dua ta di se çfarë ndodh pas shpinës sime.

E keni fjalën për kolegët?
Jo, çdo gjë që mund të krijohet pas shpinës. Unë kam pasur miq të mëdhenj të teatrit. Qoftë me femra e qoftë me meshkuj.

Keni ndërruar dhe shumë drejtorë, një vlerësim?
Për mua ka shumë rëndësi roli i tij për të drejtuar institucionin. Për mua nuk ka rëndësi drejtuesi është artist, menaxher apo politikan por duhet të dojë artin dhe artistët. Nuk e prodhon drejtori artin por artistët. Ai duhet t’i dojë dhe stimulojë këta artistë.

Asqeriu 2

Për kë keni një vlerësim më të madh?
Unë kam kaluar nja 9 drejtor në Teatrin Kombëtar dhe secili ka individualitetin e vet. Problemi është që kur vijnë në drejtim ka një problem të madh me të gjithë sikur shkëputen prej vetes së vet, sikur marrin pozicione të tejskajshme. Kujtojnë se duke urdhëruar dhe duke u imponuar do rrisin respektin. Respekti rritet nëpërmjet punës.

Kjo po ndodh dhe me drejtorin aktual?
Unë nuk e shoh fare drejtorin. Mund të komunikoj rastësisht. As më pyet dhe as e pyes. Unë i kam thënë 2-3 gjëra.

Cili nga këta drejtorë ka qenë më i mirë për ju?
Kam pasur një respekt të madh për Agim Qirjaqin. Ishte personalitet. Aktori është qenie shumë e vështirë. Më mirë një epitaf në varr thoshte Shekspiri se të hysh në gojën e aktorëve. Është shumë fragile shpirti artistik dhe në këtë sens them unë aktori dhe artisti në përgjithësi duhet trajtuar me shumë kujdes e respekt. Sepse publiku ne na trajton me këtë frymë, me shumë dashuri e shumë respekt. Të mësojnë dhe këta nga njerëzit e thjeshtë. Para ca ditësh Vangjel Toçi del në pension, asnjë ceremoni, asnjë festë, askush që t’i jepte dorën. Çfarë solidariteti kërkon ti zoti drejtor me artistët, kur ti një njeri që ka kontribuar 40 e ca vite nuk e nderon.

Keni ndjerë ndonjë padrejtësi në punën tuaj që është për t’u denoncuar ndoshta?
Në punën time nuk dua t’iu kthehem problemeve të rinisë time sepse janë një mal me gjëra por unë e them me plot bindje se në fushën e artit kam mbijetuar vetëm me punë jo si shumë të tjerë që tundin teserat e partisë. Nuk kam mbijetuar me kushërinj, teze e daja por vetëm me anë të punës. Nuk i kam thënë një regjisori kurrë mos më jep këtë apo atë, kam pranuar çdo rol sepse e dua punën time.

Debati për teatrin…mes jush, mes aktorëve a ka zëra kundër, a ka përçarje. A ndieni se ka një luftë të brendshme?
Sigurisht ka njerëz që qëndrojnë në krahun e drejtorit që e vuri shteti shqiptar të drejtojë. Dhe këta duan ta prishin teatrin duke justifikuar që do shkojë tek Turbina. Por pjesa tjetër, pjesa e arkitektëve dhe qytetarisë së Tiranës janë për të mbrojtur teatrin. Edhe shumë prej politikanëve dhe historianëve janë për mbrojtjen e teatrit. Të jetë atje ku është dhe të rikonstruktohet. Do një sasi të vogël parash dhe ndërkohë shteti shqiptar duhet të mendojë të ndërtojë një teatër të ri por këtë ta vënë në punë me të gjithë parametrat.

A keni shpresë?
Unë mendoj që kryeministri pavarësisht shpërthimeve emocionale do ta dëgjojë zërin tonë sepse besoj thellësisht në shpirtin artistik të tij. Unë kam shpresë dhe i bëj edhe një herë thirrje kryeministrit, ta shikojë me dashuri, me respekt shenjtërinë e teatrit. Teatri është shenjtëri dhe po u fute në shenjtëri aty bëhet magjia.

SHKARKO APP