“Bujar Sheshi, një ish-sigurims në KLP”, ka kartelë dhe pseudonim

Simon Miraka deklaron se është e vërtetuar se Bujar Sheshi ka qenë i rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit por nuk ka dosje të aktivitetit të tij. Anëtari i Autoritetit për Informimin e ish-dosjeve të Sigurimit të Shtetit e bëri këtë deklaratë dje për gazetarin Roland Qafoku në emisionin “Debati në Channel One”. Ai sqaroi të gjithë pretendimet e Bujar Sheshit , anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë sipas të cilit kjo ishte një shpifje. Por Miraka deklaroi sipas tij me përgjegjësi që e gjitha është e saktë. Sipas tij i vetmi problem ka qenë atësia megjithatë Gjendja Civile ka dhënë përgjigjen zyrtare se nuk ka person tjetër me emrin Bujar Sheshi.

Zoti Miraka, kemi dy qëndrime ekstremisht të kundërta. Nga njëra anë, Autoriteti i Informimit të Dosjeve që thotë se Bujar Sheshi ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe nga ana tjetër vetë Sheshi që thotë që kjo nuk është e vërtetë. Madje, ju ka paditur në prokurori për shpifje. Si është e vërteta sipas jush?

Ju bëj me dije, se institucioni jonë mbështetet nga dokumentet që janë hartuar nga Sigurimi i Shtetit nga 30 nëntor 1944 deri në 2 korrik 1991. Dhe në përgjigjet tona qofshin këto institucionet kushtetuese apo individë të veçantë mbështetet në këto dokumente. Pra, ne i referohemi këtyre dokumenteve. Ndjej keqardhje për bërjen publike të këtyre dokumenteve dhe që merret nëpër gojë personi në fjalë, zoti Sheshi, megjithatë nuk është përgjegjësia jonë. Edhe një herë e theksoj, të dhënat tona janë shumë të sakta të mbështetura në dokumente të Sigurimit të Shtetit. E vetmja gjë që nuk përputhet është atësia nga Ramiz në Rasim. Vetë zoti Sheshi e ka shkruar edhe Sheshi dhe Sheshaj. Është datëlindja e saktë 1957, është edhe lagja ku ka banuar. Në vitin 1977 ministria e Brendshme e ka propozuar që të vazhdojë shkollën e Ministrisë së Brendshme me profil Sigurimin e Shtetit dhe e njëjta adresë e kartelës, emri. Fatkeqësia është që ky zotëri është rekrutuar në moshën 17 vjeç. Nuk ka patur lëvizje në atë kohë. Ministria e Punëve të Brendshme I dha të drejtën për të vazhduar shkollën në 1977. Në fakt këtë të drejtë nuk ia dha se ka qenë bashkëpunëtor, por si njeri me biografi të mirë. Ai është rekrutuar në vitin 1974 dhe dosja e tij është arkivuar në 1975. Ai ka punuar 5 vjet hetues në Fier. Ne nuk bëjmë interpretime. Ne informojmë për shkresa që ka hartuar ish-Sigurimi. Ne kemi thënë se ka dokumente. Është i regjistruar. Ka një kartelë dhe pseudonim. Nuk kemi dosje që të vërtetojë aktivitetin e tij.

Duke qenë se ka qenë probleme një pjesë e gjeneraliteteve, përse nuk keni bërë verifikimin dhe përse nuk keni marrë certifikatën e lindjes?

Verifikimi është bërë zotëri. Është bërë menjëherë. Ku ka mospërputhje të tilla në raste. Ne i jemi drejtuar gjendjes civile dhe gjendja civile është përgjigjur se nuk ekziston asnjë emër tjetër me emrin Bujar dhe me mbiemrin Sheshi. Është e drejtë e tij të bëj kontestime dhe të bëjë ankesë.

Sa zgjati e gjithë kohë e verifikimeve që ju keni bërë zoti Miraka?

Sigurisht që koha ka zgjatur sepse ne nuk janë dokumente të përpunuar kështu që ne na mori shumë kohë për të qenë të saktë në përgjigjen tonë. Ne kemi patur raste që kanë qenë me të njëjti emër dhe nga kjo përvojë bëjmë verifikimet. Por në këtë rast Gjendja Civile na ka sjellë përgjigjen që nuk ka një emër të dytë Bujar Sheshi.

Atëherë, si ka mundësi që zoti Sheshi e ka hedhur poshtë konstatimin tuaj madje duke cilësuar një skaner mafioz për të sulmuar institucionet e drejtësisë?

I kam dëgjuar të gjitha emisionet që janë bërë rreth kësaj teme dhe kam dëgjuar që është njeri profesionist dhe i ndershëm, por në fakt nuk më duket shumë profesionist sepse përpara se të bëjë një padi penale në prokurori, ndërsa dje ka ardhur një shkresë ankimimi nga zotëria. Pra ai duhet të kishte bërë ankimimin dhe pastaj duhet ti drejtohej prokurorisë. Megjithatë ligji parashikon që ne nuk jemi institucion vendimmarrës. Ne jemi institucion informues. Ai ka të drejtë ta kontestojë dhe ti drejtohet gjykatës për të pastruar figurën e vet.

A ka shkelur Autoriteti i Dosjeve ligjin për të dhënat e një personi që ka qenë nën moshën 18 vjeç?

Kjo gjë nuk ka moshë. Artan Hoxha u bë kandidat për president. U kthye me makinë për të mos u bërë president. Është e drejtë e Sheshit të ngrejë pretendime por nuk ka të bëjë fare mosha.

A ka problem infrastrukture Autoriteti për të bërë të mundur një punë cilësor?

E vërteta është se kemi probleme të infrastrukturës dhe të personelit.

A është e qëllimshme kjo e personelit?

Nuk mund të paragjykoj. Në rastin e Buajr Sheshit e kemi shkruar që nuk ekziston dosje. Vendimi ynë është  se zotëria është rekrutuar dhe dosja e tij është arkivuar në filan vit por nuk kemi dosje që të vërtetojë aktivitetin e  tij. Ne mbështetemi në dokumentet që disponojmë.

(Pyetje e avokatit Idajet Beqiri) Po nëse do kishit dosje dhe në të do shkruhej se ai kishte informuar një rast fjala vjen se dikush po planifikonte të hidhte helm në depon e ujit dhe nga kjo shpëtoi popullsia e Tiranës pa u helmuar. Çfarë do ti bënit ju në këtë rast? Sikur vetëm këtë gjë kishte bërë ai në jetën e tij.

Pavarësisht preferencave, pavarësisht simpative ne duhet të jemi korrekt. Duhet të jemi seriozë. Ne jemi institucion shtetëror. Bujar Sheshi është regjistruar në kartelën numër 2. Që do të thotë që ka qenë bashkëpunëtor. Ka emrin e operativit. Por nuk ekziston dosje që të vërtetojë aktivitetin e tij.

Si do veprojë Autoriteti tani që Sheshi ka bërë ankimim?

Ne do shqyrtojmë ankimimin e tij. Nëse ai sjell dokumente zyrtare, ne e hedhim poshtë vendimin tonë. Për ta rishikuar vendimin edhe një herë nuk ka asgjë të keqe. Por nuk ka asnjë indicie nga vendimi që kemi marrë.

Një nga anëtarët e autoritetit ka votuar kundër. Cili ka qenë argumenti?

Ju mund ta pyesni vetë zotin Marenglen Kasmi. Vendimmarrjet janë të pavarura nga njëri tjetri. Vota është personale por duhet të jepet arsyetimi me shkrim.

SHKARKO APP