Bujtinat e veriut
Nga Manjola Arizaj Zeka
Mbaruan pushimet, u kthye rutina e përditshme. Pyetja e parë kur takohesh me miqtë është: Nga ishit këtë vere, jug apo në veri?
Dhërmi, Jalë, Himarë, Borsh, Sarandë, Ksamil vendet më të preferuara ku pushojnë shqiptarët. Pa harruar Gjirin e Lalëzit, Shëngjinin apo Velipojën.
Secili tregon eksperiencën e tij dhe si i kaloi ditët. Sa i pastër ishte deti në ca vende “të pazbuluara”, si ishin kushtet e dhomës (hotelit) sa të mira i bënin krudot te Luçiano në Dhërmi, çmenduri të paguaje një shezlon në Jalë te “Folie” (radhët e para) etj.
Megjithë ankesat e mundshme, krahasimet e ndryshme, shqiptarët pushojnë si gjithë tjerët, madje shpenzojnë dhe më shumë. Pasi kanë eksploruar gjithë skutat e jugut, sytë i mbajnë nga veriu. Situata këtë vit në kohe pandemie, e lulëzoi me tëper turizmin malor.
Rrjetet sociale kanë bërë punën e tyre në promovimin e vendeve të bukura të veriut të Shqipërisë. Tashmë, guidë gjen dhe për Tamarë-Lepushë-Vermosh, jo vetëm Theth dhe Valbonë apo Razëm. Infrastruktura, suksesi i turizmi. Rruga e mirë dhe jo e mërzitshme deri në Vërmosh ka bërë që bujtësit të jenë të shumtë, madje po nuk rezervove një jave para, vende nuk ka.
Po kush është problemi që pushuesit nuk mbesin të kenaqur? Pse bujtinat nuk ju ngjisin shumë? A dinë të gatuajnë në veri? Çfarë ka nevojë të përmirësohet? Pyetje që bëhen shpesh.
Një pjesë e madhe, shtëpitë ekzistuese i kanë kthyer në bujtina, duke iu përshtatur kushteve të sotme, shumë kanë ndërtuar të reja, pa harruar viletat e drurit. Dhomat janë dyshe, treshe po ka dhe dhoma me 5-6 shtetër. Besoj se ky stil me shumë shtretër është përshtatur për të huaj (Lepushë- Theth, në dimer ka shumë grupe, turistë të huaj). Por dhomat janë të pastra dhe me kushte normale.
Ushqimi. Ah këtu duket se “çalon” diçka. Vizitorët, nuk janë mësuar të hanë mish ferliku, djathë në t’lyn, kaçamak, maz, kertolla t’pjekuna, byrek me hithra, tamel dhiet, jardun, petulla me mjaltë, reçel boronice apo dredhzash, lëngje. Në fakt nuk di çfarë mund të kërkohet tjetër në bjeshkë, sepse këto janë prodhime bio. Pa harruar mikpritjen me buzë ne gaz, që pak kush e ka si malësorët.
Kur hap sytë në mëngjes dhe përpara të dalin Bjeshkët e Nemuna, apo bukuritë e Thethit, Valbonës, Razmës nuk besoj se ka kënaqësi më të madhe. E, petullat me mjaltë, djathë apo reçel janë mëse mjaftueshëm. Cereale, briosh, nutella etj, nuk rrinë mirë në atë vend.
E di, mbase drekat do ishin mirë te zbukuruara me pjatanca, supiere, salltanete të tjera, por nuk është keq dhe me shërbimin që bëhet. Sa kohë që ngopesh me ajër të pastër, sa kohë që pi ujë burimi, sa kohë që i dëshiron ato vise dhe atë gjelbërim, sa kohë që aparatin (telefonin) nuk e lëshon nga dora, nga panorama e mrekullueshme, unë them se bujtinat e veriut, duhen vizituar..