Bumçi: Rama po izolon Kosovën me minishengenin. VV-LDK të formojnë qeverinë, zgjedhjet gabim
Ish-deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, akuzon kryeministrin Rama se po izolon Kosovën me minishengenin ballkanik.
Në një intervistë në RTV Ora, Bumçi deklaroi se sjellja e papërgjegjshme e Edi Ramës dëmton Kosovën dhe indirekt edhe Shqipërinë.
Aldo Bumçi: Tani shohim që kemi një sjellje të papërgjegjshme nga Shqipëria që nuk ka ndodhur kurrë, nga krijimi i Kosovës e deri më sot. Është sjellja e papërgjegjshme e Edi Ramës. I cili me minishengenin po izolon Kosovën, po i jep pikë politike Vuçiçit, Serbisë që të dalin një vend normal që po bashkëpunon me Shqipërinë. Është Edi Rama ai që po thotë se Kosova po vetëpërjashtohet, po vetëizolohet që politikanët e saj janë të papërgjegjshëm. Çfarë i kërkoni Serbisë ju kur vetë Tirana e thotë këtë? Në mënyrë të qartë Edi Rama po dëmton Kosovën dhe po dëmtoi Kosovën, ka dëmtuar Shqipërinë. Këtë nuk e bën sepse nuk e di se çfarë po bën, por e bën se do të forcojë pushtetin e tij. Janë llogaritë e tij që po bën. Edi Rama nuk është i paditur. Në këto kushte kemi dy të dërguar amerikan që kërkojnë të fillojnë negociatat. Nuk mund të ketë negociata pa qeveri. Kosova duhet të fitojë të gjithë autoritetin që t’i përgjigjet këtyre sfidave që po ja bën Shqipëria.
Gjithashtu ish-deputeti demokrat deklaroi se Kosova ka nevojë për krijimin e një qeverie sa më shpejt të jetë e mundur. Sipas tij, skenari për zgjedhje të parakohshme.
Aldo Bumçi: Krijimi i qeverisë duhet të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur. Zgjedhjet ishin një sukses i jashtëzakonshëm. Pati një fitore të qartë të opozitës. Ka një rezultat që kërkon me patjetër krijimin e qeverisë. Edhe po hyre në zgjedhje nuk mund të marrësh një rezultat krejtësisht ndryshe. Kosova ka nevojë për qeveri. Nëse do të shkojnë në zgjedhje do të jetë gabimi më i rëndë dhe të dy forcat do të humbin. Duhet të krijohet një qeveri një orë e më parë.