Bumçi shpalos premtimet e PD-së: Ulje e çmimit të naftës, TVSH-së dhe energjisë elektrike

I ftuar në Ora News, ish deputeti i PD-së Aldo Bumçi u shpreh se duke hequr 240 lekë për litër taksë që Rama vendosi do të ulet ndjeshëm kostot e paketave turistike.

Bumçi tha se do të ulet edhe çmimi i energjisë elektrike për familjarët dhe për bizneset.

Bumçi: Vendi ynë ka iternerarin brenda për brenda. Udhëtimi kushton sepse nafta është shumë e shtrenjtë. Duke hequr 240 lekë për litër taksë që Rama vendosi ne ulim ndjeshëm kostot e paketave turistike. Nëse shpenzon 100 litra naftë, do të kursesh 24 mijë lekë, çka është një shifër e konsiderueshme. Ulja e çmimit të naftës do të ulë kostot e të bërit biznes.

Po ashtu do të ulim energjinë elektrike. Ne jemi sot vendi me çmimin më të lartë të energjisë në rajon. Në këtë rast po flasim që do të ulet për familjarët, do të kthehet në një fashë mbrojtëse sikurse ka qenë, kurse për bizneset do të ulet deri në 40% në varësi të biznesit. Kjo është një paketë që do të krijojë një frymëmarrje dhe do të ketë investime. Do të ulet kostoja e pushimeve në vend. TVSH do të ulet nga 20% në 6%. Ulet nafta dhe energjia, që janë faktorët vendimtarë të cilësisë së pushimeve.

Bumçi shtoi se përveç uljes së TVSH-së për bizneset dhe hoteleritë, PD propozon për bizneset deri në 140 milionë lekë të vjetra xhiro në vit, taksa 0.5% të xhiros.

Bumçi: Ne jemi një parti me frymë liberale, përndryshe vendi dhe biznesi nuk ngre kokë. Sidomos në një vend ku shteti e shtyp lirinë. Përveç uljes së TVSH-së për bizneset dhe hoteleritë, ne propozojmë që për bizneset deri në 140 milionë lekë të vjetra xhiro në vit, taksa është 0.5% e xhiros. Vetëm këtë taksë do të paguajë biznesi dhe nuk do të ketë pagesa të tjera.

SHKARKO APP