Buna dhe Drini në pikën kritike
Lumenjtë Buna dhe Drini, si dhe Liqeni i Shkodrës janë në pikën kritike të nivelit të ujit. Bashkia e Shkodrës njoftoi situatën në mëngjes, se në zonën e Dajçit, kuota e lumit është vetëm 2 centimetra larg pikës kritike. Liqeni i Shkodrës është 15 centimetra larg pikës kritike, ndërsa lumi Drin është 55 centimetër larg pikës kritike.
Ndërkohë që vazhdon të jetë e pakalueshme për mjetet e vogla rruga për në Obot dhe Oblikë, pasi niveli i ujit në rrugë është 80 centimetra. Si pasojë e përmbytjeve ka dalë jashtë funksionit edhe ujësjellësi dhe bashkia i ka furnizuar me ujë përmes autoboteve.
Në nivel qarku, deri sot në mëngjes rezulton se janë rreth 1,600 hektarë tokë nën ujë, pjesa më e madhe e të cilës është e mbjellë me bimë foragjere, dëmtimi i të cilave do të krijojë probleme me sigurimin e ushqimit për blegtorinë. Pas katër ditësh me reshje të dendura shiu situata në qarkun e Shkodrës mbetet shqetësuese.