Bunkeri, Nishani: Po provokohen ish-të përndjekurit

 

Ashtu sikurse Partia Demokratike, edhe Presidenti Bujar Nishani ka reaguar në lidhje me ndërtimin e bunkerit në qendër të Tiranës.

Kreu i Shtetit, Bujar Nishani, i është drejtuar me një letër kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ku i kërkon t’i vërë në dispozicion çdo të dhënë mbi projektin në fjalë, dokumentacionin e plotë në lidhje me lejen e ndërtimit, subjektin ndërtues dhe burimet e financimit.

Nishani thotë se një ndërtim i tillë në qendër të kryeqytetit të Shqipërisë dhe për më tepër, në një zonë të mbrojtur monumentale, kërkon transparencë dhe mbi të gjitha, kujdesin për të mos provokuar të gjithë ata që vuajtën padrejtësisht pasojat e regjimit të egër komunist.

“Në cilësinë e kryetarit të shtetit ju sjell në vëmendje se rijetësimi i simboleve të diktaturës më të egër komuniste të Europës Juglindore dhe e figurave që e ndërtuan dhe e mbajtën gjallë me një dhunë të pashoqe këtë regjim kriminal, jo vetëm që nuk i shërben unitetit kombëtar, por përkundrazi, ngjall revoltën e një shtrese vulnerabël të shoqërisë shqiptare, të cilët kanë vuajtur drejtpërdrejt pasojat më të rënda njerëzore, ende të pashëruara. Në respekt të kujtesës dhe dhimbjes së tyre, por edhe në respekt të të drejtave të njeriut, që populli shqiptar gëzon sot, në vitet e një sistemi të ri demokratik, ju kërkoj që institucioni që ju drejtoni të përmbahet nga çdo veprim që provokon të gjithë ata që vuajtën padrejtësisht dhe që shkon përkundër përqasjes europiane, parimeve dhe vlerave demokratike të botës perëndimore, ku Shqipëria ka zgjedhur të bëhet pjesë”, shkruan ai.

Nishani thotë gjithashtu se pret një përgjigje dhe një reflektim në kohë të shpejtë nga Bashkia e Tiranës, për këtë shqetësim të ngritur nga Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë.

Javët e fundit ata janë përplasur me policinë, në përpjekje për të ndaluar ndërtimin e bunkerit në oborrin e Ministrisë së Brendshme, që do të shërbejë si hyrje për muzeun e tunelit anti­bërthamor, të ndërtuar në kohën e komunizmit.

SHKARKO APP