Burg për agresorin e Berishës, avokati: Ka dhënë deklarime të ndryshme
”Arrest me burg”, është masa e sigurisë për Gert Shehun, e caktuar në seancën e kësaj të premteje nga Gjykata e Tiranës. Ai goditi me grusht në fytyrë kreun e PD-së, Sali Berishën gjatë protestës së 6 dhjetorit. Për PD-së, sulmi është me qëllime politike dhe i orkestruar nga Edi Rama.
Avokati mbrojtës i tij kërkoi masë më të butë sigurie si arrest në shtëpi ose shtrim të detyruar në spital, por nuk u pranua nga Gjykata. Në një prononcim për mediat, avokati tha se kanë paraqitur një kërkesë që të bëhet një akt-ekspertimi më i zgjeruar që të përcaktohet gjendja shëndetësore e 31-vjeçarit Shehu.
Në lidhje me pyetjen se a i ka treguar klienti i tij se cila mund të jetë arsyeja pse ka qëlluar Sali Berishën, avokati ka thënë se Shehu ka bërë deklarime të ndryshme. Para hetueseve 31-vjeçari ka dhënë dëshmi kontradiktore, ku ndër të tjera është shprehur se e goditi Berishën për shkak se kishte inat personal me të.
Shehu do të përgjigjet për akuzën e ”goditjes për shkak të detyrës” dhe “plagosje me dashje” ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. 31-vjeçari u arrestua mbrëmjen e sulmit nga policia në Spitalin e Traumës, ku ai po trajtohet nga plagët e marra pas reagimit të truprojave të Berishës.
Mjeku i tij kurues, psikiatri Sadik Lala, thotë se Shehu ka vite që trajtohet për probleme mendore, ndërkohë që për liderin e PD-së Berisha ai është një informator i policisë kriminale.