Burg për babain dhe djalin, avokati: Kontakti i fundit i vajzës në vitin 2009

Pas arrestimit të Faik Bucit, pasi Shkëlzen Buci është në burg për një tjetër ngjarje, babë e bir janë lënë nga Gjykata e Tiranës në masën e sigurisë “arrest me burg”. Avokati i tyre, Arben Gramo në një prononcim për mediat, tha se dy personat e akuzuar babë e bir e kanë mohuar përfshirjen në vrasjen e 23-vjeçarës. Sipas avokatit, vajza kontaktin e fundit e ka pasur në vitin 2009 me të ëmën e saj.

“Nga një gjykim i mëparshëm i organit të procedurës është konstatuar se eshtrat janë të Eglantina Bucit. Nuk ka pasur pretendime për këtë fakt. Në vitin 2009 ka qenë kontakti i fundit me të ëmën. Ata nuk kanë jetuar normalisht, vajza nuk vinte në shtëpi dhe me kërkesat që babai ka bërë vetë ajo nuk vinte në shtëpi dhe prandaj mendohet se mund të jetë prostituuar”.

Deri tani as Faik dhe as Shkëlzen Buci nuk kanë pranuar vrasjen e ndodhur 8 vite më parë. Autorët në seancën e sotme u shfaqën të qetë në gjykatë dhe në një moment Faik Buci qeshi. Për më tepër, ai u bezdis edhe nga prania e mediave dhe tha se çfarë kërkojnë ato aty. “Çfarë doni ju këtu”, mësohet t’u ketë thënë ai gazetarëve. Shkëlzen Buci u soll forcërisht në gjykatë, pasi ai refuzoi të merrte pjesë.

SHKARKO APP