Burg për dy vëllezërit organizatorë të grabitjes së Rinasit
Gjykata Speciale dha masën e sigurisë “arrest me burg” për vëllezërit Eldi dhe Klement Çala, të cilët akuzohen për grabitjen në aeroportin e Rinasit me 9 prill të vitit të shkuar. Ata u arrestuan të enjten në një shtëpi me qira në Golem, ndërsa vendimi i kësaj të shtune është konfirmim i masës së sigurisë së dhënë më parë në mungesë menjëherë pas shpalljes në kërkim si autor të dyshuar.
Gjykata kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka rikonfirmuar arrestin me burg dhënë në mungesë ndaj dy vëllezërve Klement dhe Eldi Çala, të akuzuar si organizatorë të grabitjeve të bujshme të ndodhura në harkun kohor të 4 viteve në rrugën e Rinasit dhe brenda aeroportit.
Vendimi i kësaj të shtune ishte konfirmim i masës së sigurisë së një viti më parë kur u dha masa e sigurisë arrest me burg në mungesë në momentin që u shpallën si të dyshuar për grabitjen e bujshme të 4.6 milion eurove në Rinas.
Klement dhe Eldi Çala u arrestuan të enjten në Golem pasi policia zbuloi se ata qëndronin në një shtëpi me qira aty.
Gjatë operacionit, atyre iu sekuestruan 100 000 euro dhe tre pistoleta.
Në operacionin për kapjen e tyre u angazhuan 300 forca policore nga Departamenti i Policisë Kriminale, Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, njësia speciale FAST Albania, RENEA dhe Drejtoritë Vendore te Policisë Durrës, Tiranë e Elbasan.
Vëllezërit Çala ndodheshin në kërkim prej një vit së bashku me Talo Çelën i dyshuar si bashkëpunëtor i tyre në krim.
Pas super-grabitjes së Rinasit, policia e shtetit ofroi një shpërblim prej 10 mijë eurosh për këdo që jepte informacion për kapjen tyre.
Në Korrik të vitit të shkuar Çalajve në Elbasan iu bllokua pasuria prej 500 mije euro.
Për grabitjen e 4.6 milionë në pistën e aeroportit në qeli ndodhen7 persona, i cilësuari si daja nga Kosova Ragio Hajdini, Elton Pikli, Renaldo Sulaj, Oltion Veseli, Saimir Çela, Alkond Bengasi dhe Hasan Kanaçi.
Ndërsa i vrarë nga shkëmbimi i zjarrit me policinë ditën e ngjarjes mbeti organizatori i grabitjes, Admir Murataj.