Burg për mësuesin, familja: E puthi, do e vrasin nëse…
Redjon Shtylla
Nxënëse që ngacmohen nga mësues, një plagë që rikthehet dhe po denoncohet. Nga skaji i Shqipërisë në skajin tjetër, rrëfehen historitë e frikshme të ngacmimeve të vajzave të mitura, të cilat në shkollë shkojnë për të marrë dije, por fati i përball me të tilla ngjarje.
Këtë herë ngjarja zhvillohet në Delvinë. Një nxënëse e shkollës “Ali Hajdini”, në fshatin Kalasë të Delvinës, u ngacmua seksualisht nga mësuesi i saj, Neshat Tepelena rreth tre muaj më parë. Ndaj Neshat Tepelenës, Gjykata e Apelit të Gjirokastrës vendosi masën e arrestit “burg pa afat”. Mësuesi doli paraditën e së mërkurës para gjykatës, e cila hodhi poshtë pretendimet e palës mbrojtëse, se arrestimi i tij ishte kryer pa prova.
Gjykata e Sarandës shpalli moskompetencë për të gjykuar çështjen me themel, si pasojë e mungesës së një seksioni për të mitur. Pasi dha masën në seancën e 1 majit, ajo ja kaloi çështjen Gjykatës së Gjirokastrës.
60-vjeçari u arrestua pas akuzave publike që bëri familja e një vajze të mitur, të cilët thanë se ishte ngacmuar seksualisht nga mësuesi. Pas publikimit të rastit, banorët e fshatit treguan edhe raste të tjera të dyshuara në të shkuarën, një prej të cilëvë në vitin 2003 kishte shkuar deri në zyrën e Arsimit, por që u mbull vetëm me një vërejtje për mësuesin Neshat Tepelena. Kryeplaku i fshatit, Ferdin Xhaferri është shprehur se Tepelena është përballur me një rast të ngjashëm edhe në vitin 2003.
Familjarë të sajë, janë shprehur se vajza i ka treguar se mësuesi e ka puthur, dhe më pas e kishte qëlluar. “Vajza më tha që mësuesi e kishte marrë në klasë dhe e kishte qëlluar nga pas. Më pas, e kishte puthur. Ai të dënohet siç e meriton sepse nesër mund të ngacmojë një tjetër”,-tha gjyshja. Ndërsa nëna e vajzës shprehet: “Kur më tha vajza se çfarë kishte ndodhur, unë shkova te shkolla dhe u përballa me mësuesin, por nuk pranoi gjë. Unë dua që ai të marrë dënimin që duhet”.
Xhaxhai i të miturës ka folur edhe për vetëgjyqësi nëse nuk vendoset drejtësi. “Ne si familje jemi në presion shumë të madh. Nëse ligji nuk do të bëjë gjë, detyrohemi të bëjmë vetëgjyqësi. Ne do të bëjmë vetëgjyqësi se është turp për ne tre vëllezër dhe një mori djemsh që kemi mbrapa të na… një maskara. I lutemi dhe gjykatësit, prokurorisë dhe policisë ti shkojnë deri në fund”.
Tepelena akuzohet për ngacmime seksuale ndaj 2 vajzave të moshës 11 dhe 10-vjeç. Pas publikimit nga një televizion, Prokuroria e Sarandës nisi procedimin penal dhe më pas ka marrë dëshmitë e 2 vajzave të mitura. Tepelena jepte mësim në shkollën e fshatit Kalasë prej më shumë se dy dekadash. Ai u akuzua publikisht për herë të parë për një rast ngacmimi seksual në vitin 2003. Rastet e njohura publikisht të ngacmimit të të miturave prej tij janë të paktën 3.
/Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

