Burgje private në Shqipëri, Alibeaj: Rrugë e re për të vjedhur ca para publike
Ish-ministri i Drejtësisë dhe ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj mendon se vendimi i qeverisë për burgje private në Shqipëri është një rrugë e re për të vjedhur ca para publike.
I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Alibeaj deklaroi se kjo ka qenë edhe një ide e qeverisjes së kaluar para 7 vitesh duke sqaruar çfarë synohej atëherë.
Por ish-deputeti i PD e sheh me dyshim të madh tani, madje si një qëllim për të vjedhur shqiptarët. Më 23 tetor Këshilli i Ministrave miratoi një projektligj që rregullon trajtimin e të dënuarve me burgim dhe paraburgim duke përcaktuar edhe ndërtimin e burgjeve private.
“Të mendosh që kjo qeveri ka edhe mendje për të qeverisur më kujton romanin ‘Dashuria në kohërat e kolerës’. Që do të thotë për kaq kohë sa kanë qeverisur të mendosh që kjo qeveri ka edhe ndonjë synim për të mirëqeverisur duket që është një gjë e rrallë që ndodh.
Po kërkoja në faqen web për të parë aktin dhe më rezulton që nuk është i botuar. Nëse kjo qeveri ka një virtyt është fakti që është tërësisht okulte në veprimtarinë e vet. Në media ka një draft të botuar dhe i hodha një sy. Ajo që pashë, aty ka vetëm një rregull. Ka vetëm një nen që thotë sistemi i burgjeve në Shqipëri përbëhet nga burgjet publike dhe burgjet private. Pjesa tjetër është, ‘do të jetë këshilli i ministrave i cili do të vendosë rregullat, standardet, kontratat për burgjet private’ dhe kaq. Çështja e parë që të shkon në mendjeështë për këdo, duke parë edhe zhvillimet apo orientimet e mënyrës se si qeverisin këta njerëz, është thjesht e vetëm që paskan hapur derën për të lidhur të tjera kontrata koncesionare tashmë me burgjet. Këtu fillon e mendon, për sa kohë huqi del me shpirtin, në këtë rast duke që synimi i tyre kryesor është që edhe një çështje kaq delikate siç është sistemi penitenciar të mund ta japin me PPP, sigurisht për të vjedhur. Edhe në kohën e qeverisjes së PD-së, ka pasur një ide fillestare për të eksploruar mundësinë që disa shërbime në sistemin e burgjeve të mund të jepeshin në rrugë private. Besoj që është një rrugë e re për të vjedhur ca para publike”, deklaroi Alibeaj.
Për të dalë në këtë përfundim ai përmend dy arsye.
“Për dy arsye të thjeshta. Kjo ide e jona ka qenë që para 7 vitesh. Këta erdhën në qeverisje, e refuzuan si ide dhe pas 7 viteve i rikthehen si ide. Që këtu është për të dyshuar. Që të mos kishte askush paragjykim, gjëja e parë duhet të shikonte një studim nga mMinistria e Drejtësisë, Drejtoria e Burgjeve që rruga e menaxhimit privat është me leverdishme dhe harxhohet më pak. Ndërkohë e shkuara ka treguar se zgjidhet rruga e koncesioneve, PPP jo për të kursyer paratë e shqiptarëve por për t’i vjedhur”, theksoi ai.
Sa i përket reformës zgjedhore, Alibeaj tha se opozita ka ofruar sinqeritetin për të bërë një reformë zgjedhore reale. Reforma zgjedhore duhet të targetojë qytetarin shqiptar. Ndaj në këto kushte çdo ndryshim duhet t’i krijojë një aureolë komoditeti lirie, qytetarit shqiptar. Do apo nuk do kryeministri ne përfaqësojmë më shumë se gjysmën e elektoratit shqiptar”, u shpreh ai.