Burgu jo për oligarkët, 74-vjeçarja invalide ndiqet penalisht për një gardh
Pallate dhe kate pa leje u sekuestruan me një vendim të nxjerrë me urgjencë nga qeveria. Por asnjë nga ndërtuesit e tyre nuk përfundoi në burg. Ligji është treguar më i ashpër me më të varfrit që janë arrestuar dhe vënë në ndjekje penale edhe për një gardh.
Bihane Shaba, është 74-vjeçe, dhe jeton e vetme në një banesë 24 metra katror në Shkozë. Shtëpinë e ndërtuar me shumë mundim pas vdekjes së bashkëshortit më shumë se 20 vite më parë një shkarje dheu rrezikon t’ia shembe.
Në pamundësi fizike dhe ekonomike ajo kërkoi ndihmën e të afërmve për të vënë disa hekura që të parandalojë shkarjen e mëtejshme të dheut. Por kjo ndërhyrje u cilësua shkelje ligji e ndërtim pa leje. Për shkak të moshës policia e Tiranës e procedoi penalisht në gjendje të lirë të moshuarën.
“I vura këto hekura vetëm për të më mbajtur shtëpinë mos më shembet. Erdhi policia tha është ndërtim pa leje. E lashë të bëhet sit ë bëhet vetëm qeveria dhe policia të jenë të kënaqura. E kam bërë me shumë mundim këtë shtëpi se ka 26 vite që më ka vdekur burri”, tha Bihane Shaba. Para se të bënte këtë ndërhyrje mirëmbajtje Bihane Shaba vuri në dijeni autoritetet por ato e orientuan drejt aplikimit online të cilën e moshuara nuk e kryente dot.
Ligji për ndërtimet pa leje godet shumë rëndë qytetarë të thjeshtë që ndërtojnë një mur oborri, hapin një dritare apo riparojnë banesat e dëmtuara. Ne vitet e fundit kërrbaci i ligjit ka futur në burg, gjobitur me mijëra shqiptarë. Por ligji i Maliqit nuk i prek të paprekshmit që kanë miq e shokë e kliente në qeveri siç është edhe ndërtuesi i këtij pallati mister me 9 kate pa leje. Në Shqipëri jo të gjithë janë të barabartë para ligjit, ata që shkojnë në burg janë njerëzit e thjeshtë ndërsa oligarkët me kate e pallate pa leje nuk preken. /Top Channel/
KOHA JONË SONDAZH

