Burrat janë bërë dyfish më të gjatë e më me peshë se gratë në shekullin e fundit

Një ekip ndërkombëtar studiuesish ka zbuluar se burrat mund të jenë rritur në madhësi dhe peshë dy herë më shumë se gratë gjatë shekullit të kaluar.

Ekipi, i udhëhequr nga David Giofrè nga Universiteti i Xhenovas, publikoi gjetjet e tij në fillim të javës në revistën “Biology Letters”.

“Rezultatet tregojnë se me përmirësimet ndërkombëtare dhe ndër-gjeneratash në kushtet e jetesës, ku stresi mjedisor zvogëlohet, avancimi i meshkujve në gjatësi dhe peshë është më shumë se dyfishi i grave, duke rritur dimorfizmin e madhësisë seksuale”, thuhet në artikull.

Studiuesit analizuan të dhëna nga burime të ndryshme, duke përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që mbulon 69 vende, Wikipedia dhe statistikat nga Britania e Madhe dhe i krahasuan këto të dhëna me treguesit e pasurisë.

Kjo zbuloi se me rritjen e standardit të jetesës, rritej edhe gjatësia dhe pesha. “Është e qartë se zhvillimi dhe ruajtja e morfologjisë bruto është më e ndjeshme ndaj kushteve të jetesës tek burrat sesa te gratë – të paktën për sa i përket gjatësisë dhe peshës”, thuhet në artikull.

Për çdo rritje prej 0,2 pikësh në Indeksin e Zhvillimit Njerëzor (HDI), gratë rriteshin mesatarisht 1,7 centimetra dhe shtonin 2,7 kilogramë në peshë. Në krahasim, meshkujt kishin një rritje mesatare prej 4 centimetra në gjatësi dhe gati 6,5 kilogramë në peshë.

Të dhënat specifike nga Britania e Madhe treguan se në gjysmën e parë të shekullit XX, burrat u rritën në gjatësi me një faktor prej 2,76 më shumë se gratë.

Shkencëtarët spekulojnë se një arsye për këtë prirje mund të jetë se gratë preferojnë burra më të gjatë. //a.i/ ATSH

SHKARKO APP