Burreli i kthyer në kantier ndërtimi, Balluku dhe kryebashkiaku Malaj inspektojnë punimet

Pas përfundimit të punimeve në rrjetin e brendshëm të ujësjellësit, Bashkia Burrel ka nisur punën për asfaltimin e të gjitha rrugëve të qytetit, madje janë disa rrugë mes lagjeve që do të asfaltohen për herë të parë.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku bashkë me kryetarin e bashkisë Agron Malaj inspektuan punimet teksa u vlerësua cilësia dhe përkushtimi ndaj qytetarëve.

“Banorët e Burrelit të duan, sa herë që ne ecim ata të përshëndesin. Për një kandidat që është kryetar bashkie, pra pas një mandati si kryetar bashkie dhe ka sërish këtë mbështetje, besoj duhet të jetë shumë e rëndësishme. Vetëm lajme të mira kemi këtu në Burrel dhe siç të kam thënë na bëhen xhelozë dhe qarqet e tjera. Ne koordinohemi me bashkinë, koordinohemi me të gjithë aktorët për të bërë më të mirë përsa i përket infrastrukturës apo për të koordinuar për të bërë disa punë sëbashku. Kështu ka ndodhur dhe në Burrel”, tha Balluku.

Kryebashkiaku Malaj nënvizoi se rrugët që po bëhen kanë të gjithë parametrat e nevojshëm. Malaj dha dhe lajmin e mirë të furnizimit të qytetit me 24 orë ujë të pijshëm.

“Ujësjellësi brenda dy muajsh do bëhet dorëzimi. Do të kemi 24 orë ujë. Përveç ujësjellësit të Burrelit është dhe linja kryesore furnizuese e qytetit që është investim po i qeverisë shqiptare, ku ne do ta kemi qytetin me 24 orë ujë. Në gjithë rrugët që ne po flasim kemi bërë gjithë komponentët , ujëra të bardha, ujëra të zeza, linja interneti, gjithçka pra kemi bërë infrastrukturë model siç i duhet qytetit”, tha Malaj.

SHKARKO APP