Burri që vrau gruan: I kërkova lekë për alkool

 

“U grindëm pasi i kërkova para për të blerë pije alkoolike, por nuk desha ta vrisja”.

Kështu mësohet të ketë thënë para oficerëve të policisë gjyqësore, 65-­vjeçari Arqile Fili i cili akuzohet se vrau bashkëshorten Antigoni Fili 60 vjeç me mjetin prerës kosore.

Krimi në familje ndodhi gjatë ditës së enjte në lagjen “15 tetori” në Fier, por u zbulua të premten nga vajza e familjes Fili. 65-­vjeçari ka mbajtur për më shumë se 24 orë kufomën e bashkëshortes së tij në banesë. Vajza e tyre, e cila jeton në Tiranë ka shkuar për vizitë tek prindërit, por babai nuk i ka hapur derën e shtëpisë. Kjo ka detyruar të renë që të lajmërojë policinë e Fierit. 

Rreth orës 18:00 të së premtes, efektivët kanë ndërhyrë dhe kanë gjetur të shtrirë në kuzhinë trupin e pa jetë të 60-­vjeçares. Pranë saj, policia gjeti dhe sekuestroi armën me të cilën është vrarë e moshuara, një kosore. Antigoni Fili dyshohet se ka humbur jetën prej mbrëmjes së djeshme. Pas ardhjes së efektivëve 65-­vjeçari ka tentuar të largohet nga banesa, por është arrestuar. I moshuari ishte konsumues i rregullt i alkoolit si dhe prej kohësh vuante nga depresioni.

Burime thanë se autori, Arqile Fili para oficerëve të policisë gjyqësore është shprehur se nuk mban mend asnjë detaj të krimit makabër që ka kryer pasi ishte në gjendje të dehur.

Çifti File ka dy fëmijë, ndërsa viktima Antigone Fili ishte një shitëse ambulante e fruta­-perimeve dhe e vetmja që siguronte të ardhura në familje.

Dëshmitë

Fillimisht, policia e Fierit mori në pyetje vajzën e çiftit Fili, e cila ka mohuar se mes prindërve të saj të ketë pasur konflikte. Ajo është shprehur se nuk është në dijeni të asaj që ka ndodhur, pasi ndihej e befasuar nga vdekja e nënës së saj.

“Nuk di nëse prindërit e mi kanë pasur konflikte të vazhdueshme apo jo, pasi unë nuk jetoj më me ta. Por, mund të ketë qenë diçka e çastit që ka çuar deri në këtë përfundim. Nuk di çfarë të them, pasi ndihem tepër e tronditur nga vdekja e nënës sime”, ka deklaruar vajza e viktimës teksa është marrë në pyetje nga policia.

Gjithashtu, në pyetje u morën edhe disa prej banorëve të lagjes numër 15 në Fier dhe komshinj të viktimës. Ata kanë sqaruar se për ta ngjarja ka qenë e pa pritur, pasi familja Fili njihej në këtë zonë si një familje pa probleme. Disa prej tyre ka shtuar më tej se, autori ishte përdorues i alkoolit, por edhe pse i pirë nuk shfaqte shenja dhune. 

SHKARKO APP